Sport

Pesë lojtarët e profilit të lartë që ende nuk kanë shënuar gol në Premier Leauge


Sezoni 2022/23 në ligën më të fortë të futbollit në botë, Premier Leauge, ka nisur që gjashtë javë.

Shumë surpriza dhe shumë spektakël është shfaqur gjatë këtyre javëve, ku kanë shkëlqyer edhe blerjet e këtij sezoni në klubet e tyre respektive.

Por, ajo që bie në sy është që disa lojtarë të profilit të lartë ende nuk kanë shënuar të paktën një gol.

Më tej do t’i përmendim pesë prej tyre, të cilët kanë shkëlqyer në edicionin e kaluar, apo edhe më herët, por sezonin e ri ende nuk kanë lënë gjurmë me ekipet e tyre.

Riyad Mahrez, Manchester City

Riyad Mahrez ishte një ndër futbollistët që shkëlqeu më së shumti në edicionin e kaluar, kur Manchester City u shpall kampion.

Algjeriani shënoi 11 gola dhe dha dy asistime në sezonin e kaluar në Premier Leauge, ndërsa në këtë edicion nuk ka lënë ende gjurmë, i cili u inkuadrua në pesë takime nga gjashtë sa janë zhvilluar në total.

Mason Mount, Chelsea

Edhe Mason Mount ishte një nga futbollistët më të mirë në edicionin e kaluar në elitën e futbollit anglez.

Mesfushori anglez në sezonin e kaluar kishte shënuar 11 gola dhe kishte dhuruar 10 asistime me Chelsea-n në Premier Leauge, ndërsa në këtë sezon ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës.

23-vjeçari është inkuadruar në të gjitha ndeshjet në këtë edicion.

Jamie Vardy, Leicester City

Në sezonet e kaluara, jemi mësuar që Jamie Vardy-n ta shohim në vendet e para të listës së golashënuesve në Premier Leauge.

Por, ky sezon nuk ka nisur aspak mirë për sulmuesin anglez, sikurse edhe për ekipin e tij, Leicester-in, që në gjashtë takimet e para ka marrë vetëm një barazim dhe pesë humbje.

Gjatë këtyre ndeshjeve, Vardy ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës, derisa është mjaftuar me dy asistime të dhuruara për shokët e skuadrës.

Ndërsa, në sezonin e kaluar, Vardy me fanellën e Leicester-it në Premier Leauge ka shënuar 15 gola dhe ka dhuruar dy asistime.

Heung-min Son, Tottenham Hotspur

Ylli tjetër i radhës qe ende nuk ka shënuar gol në Premier Leauge, është futbollisti i Tottenham-it, Heung-min Son.

Sulmuesi i Koresë së Jugut mori çmimin prestigjioz Këpucën e Artë në sezonin e kaluar pasi shënoi 23 gola për Tottenham Hotspur.

Megjithatë, pavarësisht se ekipi i tij po shijon një fillim mbresëlënës të sezonit të parë të plotë të Antonio Contes në krye, Son nuk ka qenë në gjendje të shënojë asnjë gol.

Son ka luajtur deri më tani në të gjashtë ndeshjet për Spurs këtë sezon, por ka vetëm një asistim.

Cristiano Ronaldo, Manchester United

I fundit në listë është Cristiano Ronaldo. Ylli i Manchester United-it ende nuk ka lënë asnjë gjurmë në edicionin e ri në Premier Leauge.

Pavarësisht raporteve për largim nga “Old Trafford” këtë verë, ai do të vazhdojë me Manchester United të paktën deri në janar të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, sulmuesi 37-vjeçar nuk ka pasur fillimet e tij më të mira deri më tani dhe aktualisht është pa gol me “Djajtë e Kuq” në këtë sezon.

Jo vetëm që nuk ka gjetur rrugën e rrjetës, apo ndonjë asistim për shokët e ekipit, por portugezi tani ka humbur edhe vendin e titullarit në formacionin e trajnerit, Erik ten Hag.

Deri më tani, vetëm në një takim Ronaldo ka luajtur titullar (humbja kundër Brighton-it me rezultat 4:0), kurse ndeshjet tjera u inkuadrua nga stoli.

CR7 në sezonin e kaluar shënoi 18 gola dhe dhuroi tre asistime në Premier Leauge.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore