Lajme

Pesë “Jo”-të e BE-së për Kosovën, ende të ngurta


Bashkimi Evropian

Prej 27 shteteve anëtare që konstituojnë Bashkimin Evropian, vetëm 22 prej tyre e pranojnë Kosovën si shtet i pavarur që nga shpallja e Pavarësisë nga Serbia, më 17 shkurt 2008.

Në mesin e shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet janë Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania, dhe Greqia.

Kosova mbetet e “mbyllur” dhe jashtë BE-së, në betejën e saj, ditë e më të vetmuar, për të themeluar pozicionin e saj si shtet, në rrugën e saj drejt BE-së.

Kosova është pavarësuar nga Serbia, por me pavarësinë e saj, nuk ka arritur të krijojë ndërvarësitë e nevojshme në rrjetin e ndërlidhshmërive evropiane.

Popullata e Kosovës është më entuziastja në anëtarësimin në BE, me rreth 90% të popullatës që mbështesin këtë prospekt dhe që projektojnë veten në bashkësinë evropiane.

Një nga barrierat më të vështira për t’i kaluar drejt BE-së janë pesë shtetet mos-njohëse.

Ish-diplomati, historiani dhe punonjësi shkencor në Institutin Albanologjik të Kosovës, Ylber Hysa konsideron që “jo që nuk është bërë pak ose shumë në atë drejtim, por shihet që nuk është bërë asgjë fare”.

Ish-diplomati. Historiani dhe punonjësi shkencor në Institutin Albanologjik të Kosovës, Ylber Hysa

Ai në një përgjigje për Albanian Post thotë se “Gjendja e këtyre pesë shteteve nuk ka ndryshuar as edhe një milimetër me ardhjen e qeverisë së re”.

“As që ka pasur ndonjë shenjë në këtë aspekt mesa jemi ne të informuar. Ndonëse për hir të vërtetës dua të them që kjo është në një stagnim e standby që para kësaj qeverie”.

“Që nga koha kur është inicuar dialogu dhe shumë nga këto pesë vende kanë gjetur një Vis major shkas për ta arsyetuar mos-pozicionin e tyre karshi Kosovës”, shtjellon ish-diplomati Hysa.

“Këto pesë shtete”, sipas tij, “kanë gjetur një arsye të mirë për të pritur epilogun e nga ky bashkëbisedim i cili edhe ashtu është stërzgjatur”.

Mundësia e ndryshimit të pozicionit karshi Kosovës

Gjë të “vështirë” e konsideron Hysa ndryshimit eventual të pozicionit të tyre drejt Kosovës, sepse, siç thotë ai “sa më shumë që të kalojë kohë aq më shumë do të ftohet në thojza kjo çështje për këto shtete”.

“Sepse presioni ka qenë imediat menjëherë pas njohjes së pavarësisë së Kosovës kur shtetet dhe organizatat në botë e kanë njohur Kosovën. Presioni ka qenë më i madh. Tani në këtë botë me konglomeratesh probleme, me një vakum gjeopolitik, ka më pak koncentrim dhe presion në këto vende për të bërë ndonjë hap më radikal karshi Kosovës”.

Njohjet dhe mos-njohjet e shtetit të Kosovës.

“Kjo nuk do të thotë që substancialisht këto shtete kanë ndryshuar qëndrimin negativisht ndaj Kosovës”, vlerëson Hysa, “por nuk do të thotë as që janë në ndonjë udhëkryq për të rishikuar pozicionin e tyre”.

Hysa thotë se duhet pasur parasysh që këto pesë vende “kanë dallime serioze mes vete si dhe kanë motive të ndryshme të pozicionohen karshi Kosovës”.

“Ato dallojnë për shembull nga Greqia deri te Spanja me statusin e tyre. Disa prej tyre janë status-neutrale. Ndërsa disa të tjera për arsye të veta kanë qenë edhe lobuese e kundër pavarësisë së Kosovës. Ndonëse kjo problematikë ka ndryshuar në kohë dhe qeveri të ndryshme në këto pesë vende për të cilat po flasim”.

Afrimi i Greqisë drejt njohjes së Kosovës

“Realisht tani Kosova mund të bëjë pak, por edhe ajo pak nuk duket se është bërë fare”, konsideron Ylber Hysa.

“Ndonëse ishte një shans shumë real karshi Greqisë, e cila u lidh me çështjen e politikave energjetike, dhe e cila në një mënyrë të çuditshme nuk u pa si një shans për të përfituar dyfish nga diplomacia kosovare”.

“Greqia”, elaboron ish-diplomati kosovar, “qysh më herët ka qenë një shtet shumë i hapur ndaj Kosovës”.

Ilustrim

“Madje”, vazhdon ai, “nganjëherë edhe më i hapur sesa disa vende që e kanë njohur Kosovën, të cilët përveç statusin të njohjes, nuk kanë ecur më tutje në një proces bilateral të marrëdhënieve me Kosovën”.

“Dallim serioz ka në mes të Greqisë dhe në mes të Sllovakisë apo Spanjës”.

“Spanja për arsye të brendshme të veta ka rezistuar ta sfidojë veten dhe të shiqojë tutje për njohjen e Kosovës. Madje ajo ka qenë aktive si një vend i rëndësishëm për botën latinefone, për botën e Amerikës Latine, duke bllokuar një numër serioz të këtyre shteteve, të cilët te Spanja shohin një lloj fanari”, thotë ai për AP.

“Spanja kohëve të fundit”, thotë Hysa, “duket të ketë ndryshuar politikën e saj duke e parë mundësinë e një epilogu nga dialogu me Kosovën si një shanc ku ajo do të rishikonte pozicionin e vetë”.

“Duhet pasur parasysh se shtetet si Qiproja dhe Sllovakia, nuk e kanë problemin te Kosova per se, por më shumë kanë problemet te politika e tyre të brendshme apo perceptimeve të tyre ndaj interesave të tyre kombëtare apo rajonale, dhe në këtë aspekt hezitojnë ta njohin Kosovën, se sa kanë ndonjë çështje ekskluzive ndaj Kosovës”, përfundon ai për Albanian Post.

Anëtarësimi në OKB si zgjidhje

Ndërsa profesori në Universitetin e Zagrebit dhe redaktori i politiksë së jashtme të gazetës më të madhe kroate, “Jutarnji list”, Zheljko Trkanjec, në një përgjigje për Albanian Post shkruan se “nuk është bërë mjaftë”.

Profesori në Universitetin e Zagrebit dhe redaktori i politiksë së jashtme të gazetës më të madhe kroate, “Jutarnji list”, Zheljko Trkanjec

“Mjaftë do të jetë kur këta shtete ta njohin Kosovën”.

“Edhe pse në shumicën e aspekteve ky vendim shtrihet përtej Prishtinës”, tregon Trkanjec, “kjo gjë definohet nga intereset e brendshme dhe vitale të këtyre pesë shteteve”.

Por dallon Greqinë, e cila, sipas tij, “ajo ka për qëllim të projektimit të influencës ndaj një shteti tjetër formalisht të pavarur, Qiproja”.

“Mënyra më e mirë”, konsideron ai, “është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, sepse “synimet tjera do të dështojnë”.

Ndërkaq, çështja e njohjeve “do të zgjidhej për një moment kur Kosova të anëtarësohet në Kombe të Bashkuara”.

“Sepse, atëherë parakushtet për njohjen e Kosovës do të ishin përmbushur”, përfundon ai për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore