Lajme

Përvoja e Sean Penn në Ukrainë, kalimi i kufirit me këmbë


Aktori amerikan Sean Penn ka rrëfyer përvojën e tij në Ukrainë, ku vetëm pak javë më parë ndodhej atje për të xhiruar një dokumentar mbi krizën.

Këtë, në një lidhje direkte me emisionin italian “Che tempo che fa”.

Penn u largua nga vendi menjëherë pas pushtimit rus.

“U trondita nga niveli i unitetit që ka treguar vendi, nga forca dhe guximi i jashtëzakonshëm. Është shumë e qartë në frymën e ukrainasve se askush nuk i mishëron të gjitha këto gjëra më shumë se presidenti Zelensky”.

Kështu ka thënë ai, duke shtuar se mundi ta takonte atë dhe “ishte jashtëzakonisht i vendosur në dashurinë e tij për lirinë, për ëndrrat, për njerëzit, për atë që ka kuptim për të gjithë ne. E pashë atë në sytë e tij, ishte frymëzim”.

Aktori, më tej, ka dhënë edhe disa detaje të angazhimit të tij në Ukrainë.

“Nisa xhirimet e dokumentarit në Mariupol në nëntor, intervistuam ushtarët në vijën e frontit, më pas u kthyem në Kiev, për të filmuar aspektet kulturore të jetës në Ukrainë, me fokus Zelensky-n”, ka treguar Penn.

Dhe se kur u kthyen, arritën të organizonin një takim me të një ditë para pushtimit.

Detajet e takimit

Penn ka lënë më shumë se një përshtypje për presidentin ukrainas.

“Nuk mund ta di se çfarë mendoi apo nëse e dinte se kishte lindur për të përballuar atë që po kalonte. Deri në ditën kur filloi gjithçka, brenda nesh kishte shpresë se kjo çmenduri nuk do të ndodhte, por mendoj se ukrainasit ishin të përgatitur për këtë skenar të tmerrshëm, më të keqin që mund të ndodhte”.

Aktori dhe regjisori kalifornian, pas shpërthimit të luftës, kaloi kufirin në Poloni në këmbë, duke takuar dhjetëra refugjatë.

“Ata kishin pak gjëra me vete, ndoshta sepse mendonin të ktheheshin ose sepse kishin lënë shtëpitë e tyre me nxitim. Asnjë prej tyre nuk donte të largohej”, ka treguar ai.

Edhe në ditët e para, ka thënë Penn, ishte e vështirë dalja fizikisht nga Kievi. Ekipit të tij iu deshën 24 orë për të përfunduar një udhëtim shtatë orësh.

“Do të jetë një moment historik për historinë, veçanërisht për vendet tona që pyesin veten: çfarë të bëjmë?”, ka thënë ai.

Kthimi në Poloni

Për perceptimin e konfliktit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka pohuar se ka “një mbulim mediatik 24 orë për krizën ukrainase, shpesh me cilësi të lartë, ndonjëherë të kritikueshme”.

Ama sipas sondazheve, 85 deri në 90 për qind, në të gjithë spektrin politik, janë në favor të popullsisë ukrainase.

Sipas tij, ekziston një faktor frikësimi që po përdor presidenti rus Putin, referenca për armët bërthamore dhe lloje të tjera tmerresh.

Penn do të kthehet “në Poloni më 28, ndoshta edhe në Ukrainë, për t’u përpjekur të japë një dorë, qoftë edhe me ndihmën bazë, komplete higjienike, duke punuar me organizatat lokale të shoqërisë civile”.

Kurse për publikimin e dokumentarit ka shpresuar që të dalë sa më shpejt, por që iu duhet më shumë kohë për të pasqyruar atë që po ndodh në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore