Lajme

Përplasje në Komisionin për Arsim, Hoxha e lëshon sallën pas konfrontimit me Golën


Eliza Hoxha duke e lëshuar mbledhjen e Komisionit për Arsim

Gjatë ditë së martë të 18 janarit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport ku po shqyrtohej Projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe Projektligji për Arkivat shtetërore, ka ndodhur një debat në mes të Kryetarit të këtij komisionit, Ardian Gola dhe deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ku kjo e fundit e ka lëshuar edhe mbledhjen e komisionit.

Deri tek përplasja në mes të dy deputetëve ka ardhur kur kryetari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola nuk ia ka dhënë fjalën deputetes Hoxha, me arsyetimin se ajo po e konsumon kohën kot.

“Ti duhet ta respektosh rendin këtu unë vendosi. Unë nuk lejoj këtë formë çfarë e pamë nga deputetja Hoxha dhe shpreh keqardhja për këtë incident ne vlerësojmë përkushtimin që keni me arsimin e lartë që e keni bërë të pamundshëm të respektoni kufijtë ligjor për sistemin e arsimit”, ka thënë Gola.

Ndërsa deputetja e Hoxha si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së deputetit Gola ka potencuar se ai nuk ka të drejtë t’ia ndalojë fjalën.

“Për ligj po flas. Nuk mund të ma ndalosh të flas. Jam duke folur për Ligj. E konsumoj sa të dua kohën. Nuk jeni të më tregoni ku jam unë. Unë iu referova Ligjit. Vazhdojeni vet takimin. Vazhdoni ju pa opozitën”, u shpreh Hoxha.

“Nëse nuk ka mundësi në këso lloj atakime të diskutohet me dashamirësi për sfidat që i kemi në proces, pozitë e opozitë, për institucionet publike dhe private në cilësinë e arsimit, atëherë urdhëroni, e keni kohën e duhur dhe të mjaftueshme të bëni çfarë të doni”, tha ajo duke dalë nga salla e mbledhjes.

Pas kësaj përplasjeje së bashku me deputeten Hoxha edhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi në shenjë proteste e ka lëshuar mbledhjen e komisionit duke thënë se arroganca e numrave e ka sjellë situatën deri këtu.

Mbledhja e komisionit ka përfunduar për shkak të mungesës së kuorumit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore