Shqipëria

Përfundon rindërtimi i dy shkollave në Shijak, gati për 550 nxënës


Dy shkollat “Lidhja e Prizrenit” dhe “Petrit Llaftiu” u rikthyen plot 550 nxënësve të saj, të ringritura nga Programi i Rindërtimit në Bashkinë e Shijakut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana, të hënën e 5 qershorit, inspektoi nga afër klasat e ambientet e rindërtuara.

Arbana ka bërë të ditur se janë plot 146 shkolla që do të rindërtohen në të gjithë bashkitë e prekura. Ndërsa shpjegoi se këto janë shkollat e fundit të nisura në Bashkinë e Shijakut.

“Kjo shkollë ka 80 klasa, katër laboratorë dhe ambiente ndihmëse që i shërbejnë të dyja këtyre shkollave”, tha Arbana.

Gjithashtu kryeministri Rama tha se shkolla shtrihet në një sipërfaqe ndërtimi prej 8 mijë metrash katrorë ku pjesë e rëndësishme janë edhe palestra e terrenet sportive.

Ndërsa në Bubq po merr formë ​qendra e re urbane, e cila sipas kryeministrit, do të jetë gati në vjeshtë. Kjo qendër do të përmbajë shtatë pallate, 78 shtëpi individuale, shkollë të re, amfiteatrin komunitar dhe qendrën e re administrative.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore