Gjykata Speciale

Përfundon dëshmia e Byrnes në Speciale, pyetet sërish për lirimin e gazetarëve të Tanjug-ut dhe zyrtarëve të LDK-së


Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson dhe dëshmitari Shaun Byrnes.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka vazhduar intervistimin e ish-shefit të misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes, i cili po dëshmon për herë të pestë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Byrnes, gjatë intervistimit është pyetur sërish rreth lirimit të gazetarëve të Tanjug-ut dhe zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u pyetur për njohuritë që kishte lidhur me vendndodhjen e Kadri Veselit në atë kohë.

Ai ka thënë se nga të dhënat që figurojnë në pasaportën e Veselit, rezulton që ai nuk ka qenë në Kosovë.

Emmerson: Më 27 nëntor, gazetarët e Tanjug-ut dhe zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës u liruan në Dragobil. Në atë kohë, hyrja tjetër sipas vulave në pasaportën e Veselit ka qenë në Zvicër, ku ju zgjat edhe viza që kishte dhe më pas është larguar sërish me të njëjtën datë do të thotë më 11 nëntor dhe nuk është kthyer deri më 31 dhjetor në Tiranë.

A do të pajtoheshit me mua se mbështetur në vulat që ka zotëri Veseli, ai nuk ka qenë në vend madje as në Shqipëri në kohën kur është bërë lirimi i gazetarëve të Tanjug-ut dhe zyrtarëve të LDK-së?

Byrnes: Po, kështu duket.

Emmerson: Me datën 5 janar figuron që Veseli ka qenë në Belgjikë deri më 10 janar, këtë e tregon vula në pasaporta e tij. Më datën 13 janar, vula tregon se ai ka arritur në Slloveni, me këto vula është e sigurt që zotëri Veseli jo vetëm që ka qenë jashtë Kosovës dhe jashtë Shqipërisë, por ka qenë në Perëndim gjatë gjithë kohës kur janë liruar gazetarët e Tanjug-ut dhe zyrtarët e LDK-së?

Byrnes: Është e dukshme që unë s’kam njohuri se ku ka qenë ai gjatë periudhës kur ka ndodhur lirimi. Por, është e dukshme që nuk ka qenë në Kosovë.

Emmerson: A keni ndonjë informacion sa i takon funksionimit të shërbimit të inteligjencës qendrore ose të zbulimit që funksiononte brenda UÇK-së në nivel kombëtar në periudhën deri në nëntor të 1998-së?

Byrnes: Jo nuk e kam këtë informacion.

Pas intervistimit nga ana e avokatit Kadri Veselit, trupi gjykues ka liruar Byrnes duke thënë se “dëshmia e tij ka pëfunduar”.

Byrnes, ka pyetur nëse mund të ketë kontakt me Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), edhe pas përfundimit të dëshmisë së tij nga gjyqtari është thënë se ai nuk do të ndërhyjë në këto procedura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore