Lajme

Përfaqësuesit e Luginës diskutojnë me Cramonin për të drejtat dhe sfidat e shqiptarëve


Foto nga Ragmi Mustafi.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës dhe këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, Ragmi Mustafi, të martën është takuar me eurodeputeten Viola von Cramon, me të cilën ka diskutuar për drejtat dhe liritë e plota për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.

Takimin e ka bërë të ditur Mustafi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në këtë takim të rëndësishëm me Eurodeputeten liberale Viola von Cramon, përveçse diskutuam për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, u thelluam në çështjet specifike dhe sfidat që përballet ky komunitet”.

“Diskutuam për mjetet konkrete për të adresuar diskriminimin dhe për të promovuar barazinë dhe drejtësinë në këtë rajon”, ka shkruar ai.

Teksa ka thënë se janë duke u angazhuar vazhdimisht për të drejtat dhe liritë e plota për komunitetin shqiptar.

“Qëndrim të qartë të solidaritetit dhe bashkëpunimit me miqtë dhe partnerët tanë, për të siguruar të drejtat dhe liritë e plotë për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës”.

Ragmi Mustafi, ishte politikani i dytë nga Lugina e Preshevës që ishte emëruar këshilltar në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës vazhdimisht janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61 mijë e 687 shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore