Gjykata Speciale

“Perëndimi i tradhtoi liderët e UÇK-së, Specialja është tregues i rritjes së influencës ruso/serbe”, profesori i Oxford-it, James Pettifer, në intervistë ekskluzive për Albanian Post


James Pettifer

Përveç bashkëpunimit gjatë luftës, liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëgjuan partnerët perëndimorë në gjithçka që u kërkuan edhe paslufte, prandaj të akuzuarit e tyre në Gjykatën Speciale është në njëfarë forme tradhti e këtij besimi pakushte, ka thënë James Pettifer, shkrimtar, historian dhe ligjërues në Universitetin prestigjioz të Oxford-it, në një intervistë ekskluzive dhënë për Albanian Post.

“Është veçanërisht fatkeq fakti që shumica e atyre që janë akuzuar ishin bashkëpunëtorë me NATO-në, SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe pas vitit 1999 ata bënë gjithçka që u kërkua nga ta për të realizuar të gjitha këshillat që pranuan”, deklaroi Pettifer për AP, duke treguar se po i përcjell me vëmendje seancat në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Ata të gjithë, në dijeninë time, kanë pasur marrëdhënie të fuqishme dhe produktive me KFOR-in dhe janë sjellur në mënyrë shumë të përgjegjshme në disa kriza që ndodhën për gjatë viteve. Vendosja e tyre në gjykatore ‘për komplote’ është tradhti e këtij besimi nga Perëndimi dhe ka shumë gjasë që do ketë pasoja afatgjata”, pohoi Pettifer.

Akademiku 74 vjeçar britanik është autor i mbi 40 librave për Ballkanin dhe konsiderohet si një nga njohësit më të mirë në botë të historisë së këtij rajoni.

Pettifer ka shkruar edhe një nga librat më të rëndësishëm për historinë e vonë të Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Nga lufta e nëndheshme te Kryengritja Ballkanike 1948 – 2001”, është konsideruar nga “European Review of History” si “libër i domosdoshëm për këdo që dëshiron të kuptojë 60 vjetët e fundit të historisë së Kosovës”.

Akademiku britanik është i bindur se Gjykata Speciale u formua për dy qëllime kryesore. E para, sipas Pettifer, është që “është dizajnuar në atë mënyrë që të minojë kredibilitetin e rezistencës së armatosur kundrejt Serbisë së Millosheviç-it mbi të gjitha” dhe arsyeja e dytë, sipas tij, “të provojë të largojë liderët kyçë nga politika në Kosovë”.

Pettifer beson fuqishëm që Gjykata Speciale u themelua edhe si pasojë e “e rritjes së influencës Serbe dhe Ruse në Evropë”.

Por, ai ka pakënaqësi të mëdha edhe me sjelljen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Thotë se “disa nga pastrimet që po i bëhen Serbisë nga zyrtarë të lartë amerikanë në fjalimet e tyre janë turp për traditën demokratike të vet shtetit të tyre, dhe siç thash më lartë, tradhti ndaj besimit që iu dha (nga UÇK-ja)”.

Pettifer shpreh kritika edhe ndaj qeverisë aktuale të Kosovës që s’po di të sillet në aktualitetin gjeopolitik dhe ndryshimet e diskurseve.

“Mendoj se qeveria e Kurtit është treguar e dobët në ballafaqimin me këtë situatë të re në rajon që afekton Kosovën”, deklaroi shkollari britanik.

Libri i James Pettifer

Historiani, duke marrë referencë edhe librin e tij, ka dhënë – shkurtimisht – arsyen që sipas tij çoi në themelimin, rritjen dhe suksesin e UÇK-së.

“Udhëtimi i gjatë pacifist i Rugovës prodhoi pak ose aspak për pavarësinë që kërkonte Kosova. Si rezultat i kësaj ishte lindja dhe rritja e UÇK-së. Siç e kam cekur edhe në librin tim për historinë e UÇK-së, lufta shpejt u shndërrua në një lëvizje mbarë popullore. Është qesharake të supozosh se cilido grup i veçantë i liderëve të UÇK-së do të mund ta kontrollonte se çfarë po ndodhë në terren gjithandej”, deklaroi Pettifer për Albanian Post.

Intervista e plotë e Albanian Post me James Pettifer, një nga historianët më me renome në botë për historinë e Ballkanit:

Albanian Post: Zoti Pettifer, ju jeni njohës i mirë i procesit të çlirimit të Kosovës dhe luftës që ndodhi në vitet 1998-99. Po ashtu, ju keni shkruar disa libra për Kosovën, konkretisht për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Tani kundër krerëve të UÇK-së është duke u zhvilluar një proces gjyqësor në Hagë. Si e shihni ju këtë proces?

James Pettifer: Gjyqi ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë është duke u zhvilluar krejtësisht në baza artificiale. Nuk është i bazuar në fakte dhe për aq sa mund të gjykojmë nga materialet që janë publikuar deri më tani, prapavija politike është e qartë.

Është dizajnuar në atë mënyrë që të minojë kredibilitetin e rezistencës së armatosur kundrejt Serbisë së Millosheviç-it mbi të gjitha. Dhe të provojë të largojë liderët kyçë nga politika në Kosovë. Është veçanërisht fatkeq fakti që shumica e atyre që janë akuzuar ishin bashkëpunëtorë me NATO-në, SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe pas vitit 1999 ata bënë gjithçka që u kërkua nga ta për të realizuar të gjitha këshillat që pranuan. Ata të gjithë, në dijeninë time, kanë pasur marrëdhënie te fuqishme dhe produktive me KFOR-in dhe janë sjellur në mënyrë shumë të përgjegjshme në disa kriza që ndodhën për gjatë viteve. Vendosja e tyre në gjykatore “për komplote” është tradhti e këtij besimit nga Perëndimi dhe ka shumë gjasë që do ketë pasoja afatgjata.

Albanian Post: Prokuroria e Gjykatës Speciale po përpiqet të dëshmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më konkretisht shtabi i saj i përgjithshëm, ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale me qëllime të qarta kriminale dhe për të eliminuar kundërshtarët politikë. Siç theksoi një nga avokatët mbrojtës, nëse UÇK-ja shpallet ndërmarrje e përbashkët kriminale, a do të thotë kjo se NATO-ja ka ndërhyrë për të ndihmuar një ndërmarrje të tillë?

James Pettifer: Mendoj se koncepti i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” është i paqartë dhe nuk kënaq në vetvete. Në të kaluarën, në rajonin tonë (Ballkan), ishte përdorur nga regjimet autoritare dhe jo demokratike. Perandoria Osmane i kishte kriminalizuar opozitat politike për qindra vjet, siç bënë stalinistët si Enver Hoxha në regjimin e tij kur bënte represion për opozitën e nacionalistëve shqiptarë nga veriu.

Është gjithashtu terminologji jo krishtere. Koncepti teologjik i “luftës së drejtë” lejon për mundësinë që të ketë një opozitë legjitime që bën rezistencë të armatosur kur shteren të gjitha mundësitë e tjera për reforma paqësore.

Kjo është çfarë në esencë ndodhi nën regjimin e Milloshevic-it. Udhëtimi i gjatë pacifist i Rugovës prodhoi pak ose aspak për pavarësinë që kërkonte Kosova. Si rezultat i kësaj ishte lindja dhe rritja e UÇK-së. Siç e kam cekur edhe në librin tim për historinë e UÇK-së, lufta shpejt u shndërrua në një lëvizje mbarë popullore. Është qesharake të supozosh se cilido grup i veçantë i liderëve të UÇK-së do të mund ta kontrollonte se çfarë po ndodhë në terren gjithandej. Nëse janë kryer krime lufte, natyrisht ato duhet të ndiqen, por me fakte të bazuar në burime kredibile që mund të identifikohen dhe të ballafaqohen në gjykatë me dëshmitarë. Nëse provohet dikush fajtor, njerëzit duhet të dënohen si individë, jo si pjesë e “komploteve/konspiracioneve” të paqarta.

Ish-kreret e UÇK-se, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli.

Albanian Post: Si e shihni faktin që Gjykata Speciale u krijua për akuzën e trafikut të organeve, ndërkohë që tani kjo akuzë nuk gjendet askund?

James Pettifer: Nuk besoj se kemi informacione mjaftueshëm akoma për ta ditur. Supozoj se çështja e trafikimit të organeve është rrëzuar sepse nuk ka pasur dëshmi kredibile kundër liderëve të UÇK-së, por s’mund të jemi të sigurt. Gjithsesi, me gjasë ishte një pretekst i ulët (sa për ta themeluar gjykatën).

Albanian Post: Në librin tuaj për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ju e konsideroni luftën e UÇK-së si “lëvizjen e parë të suksesshme kryengritëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, a mendoni se ky procesi i gjykimit të krerëve të UÇK tash, mund ta zbeh këtë përshkrim?

James Pettifer: Mirë, kryengritjet ekzistojnë. Edhe për momentin ka plotë të tilla nëpër botë. Terminologjia është gjithsesi “e mbushur”. Kryengritja e dikujt është lufta çlirimtare e dikujt tjetër.

Albanian Post: Por, në kontekstin historik, si e vlerësoni këtë gjyq?

James Pettifer: Mendoj se është pjesë e rritjes së influencës Serbe dhe Ruse në Evropë. Fakti se Rusia mund të marrë një rezultat fort të mirë nga lufta në Ukrainë, me shumë mundësi do të shkaktojë vështirësi të tjera për Kosovën, çfarëdo që të ndodhë me këtë gjyq ku po gjykohen liderët e UÇK-së.

Nuk dua të përfshihem shumë e të bëj gjykime për zhvillimet aktuale politike, por fatkeqësisht, në njëfarë mënyrë edhe ato janë të lidhura me këtë gjyq në Hagë. Politika e jashtme amerikane për momentin është një rrëmujë e madhe.

Disa nga pastrimet që po i bëhen Serbisë nga zyrtarë të lartë amerikanë në fjalimet e tyre janë turp për traditën demokratike të vet shtetit të tyre, dhe siç thash më lartë, tradhti ndaj besimit që iu dha (nga UÇK-ja).

Mendoj se qeveria e Kurtit është treguar e dobët në ballafaqimin me këtë situatë të re në rajon që afekton Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore