Shëndet

Përdorimi i tepërt i antibiotikëve mund të shkaktojë astmë


Përdorimi i tepërt i antibiotikëve, obeziteti, reduktimi i aktivitetit fizik, kontakti i dobët me natyrën mund të shkaktojë astmë.

Stresi psikologjik mund të përkeqësojë simptomat e sëmundjes duke rritur reagimin inflamator të organeve të frymëmarrjes, alergeneve dhe irrituesve të ndryshëm.

Astma përkufizohet si sëmundje inflamatore kronike e rrugëve të frymëmarrjes që shkakton spazmën e tyre, pra bronkoobstruksion, si dhe hipersekretim. Ndjeshmëria e shtuar e rrugëve të frymëmarrjes ndaj ndikimeve të ndryshme të jashtme ka karakter të kthyeshëm.

Ngushtimi i rrugëve të frymëmarrjes që shoqërohet me hipersekretim shkakton shqetësim në formën e gulçimit dhe kollitjes, e cila është kryesisht e thatë dhe në sulme.

Astma përkufizohet si një sëmundje e shoqërisë moderne dhe një epidemi e shekullit të 21-të.

Vlerësohet se rreth 350 milionë njerëz në botë vuajnë nga astma dhe se 150 milionë të tjerë do të sëmuren në 10 vitet e ardhshme.

Shkaqet

Ka shumë shkaqe të astmës. Ato ndahen kryesisht në të jashtme dhe të brendshme. Të jashtmet i referohen faktorëve të mjedisit, ndotjes së ajrit, ngrohjes globale, ndryshimeve klimatike, urbanizimit si dhe pranisë më të madhe të alergeneve në ajër.

Ato të brendshme i referohen vetë pacientit, në radhë të parë predispozicioni gjenetik (atopia), stili i jetesës, dieta pa substanca mbrojtëse, pirja e duhanit, veçanërisht pirja e duhanit gjatë shtatzënisë, infeksionet e shpeshta, përdorimi i tepërt i antibiotikëve, obeziteti, reduktimi i aktivitetit fizik, kontakti i dobët me natyrën.

Veprimi i kombinuar i këtyre faktorëve çon në sëmundje. Ndarja e dytë e astmës është në atopike, pra kongjenitale dhe joatopike.

Atopia tregon një predispozitë për të zhvilluar mbindjeshmëri. Prania e ekzemës atopike te foshnjat, riniti alergjik dhe astma quhet kolektivisht atopi.

Vlerësohet se dy të tretat e numrit të përgjithshëm të pacientëve kanë astmë alergjike. Alergjenët më të zakonshëm nga mjedisi i brendshëm janë: pluhuri i shtëpisë, merimangat, myku si dhe qimet e kafshëve.

Kurse nga mjedisi i jashtëm: poleni i pemëve, bari, barërat e këqija. Fillimi i simptomave klasike të astmës zakonisht paraprihet nga simptoma në traktin e sipërm respirator në formën e teshtitjes, sekretimit dhe kongjestionit të hundës, shoqërohet edhe me lotë dhe kruajtje të syve.

Megjithtë ekziston edhe një ndarje e tretë të astmës në: astmë të lehtë, të moderuar dhe të rëndë, si dhe ndarje në astmë intermitente dhe persistente, në varësi të ashpërsisë së pamjes klinike dhe shpeshtësisë së simptomave dhe kohëzgjatjes së tyre.

Mekanizmi i astmës shkaktohet nga një kombinim i ndërveprimeve komplekse gjenetike dhe ndërveprimeve mjedisore.

Historia familjare është një faktor rreziku për astmën, me gjene të ndryshme të përfshira. Nëse njëri binjak identik ka astmë, probabiliteti që tjetri të sëmuret është 25 përqind.

Shumë nga gjenet shkaktare janë të lidhura me sistemin imunitar ose modifikimin e inflamacionit. Disa variante gjenetike mund të shkaktojnë astmë vetëm kur kombinohen me ekspozime të caktuara në mjedisin e jashtëm.

Pirja e duhanit është një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për mjedisin, veçanërisht gjatë shtatzënisë. Cilësia e dobët e ajrit, si dhe infeksionet virale mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të astmës te fëmijët, kryesisht rinovirus dhe virus sincicial të frymëmarrjes.

Pneumonia e shpeshtë bakteriale, si dhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve në moshë të re, rrit rrezikun e sëmundjes. Stresi psikologjik mund të përkeqësojë simptomat e sëmundjes duke intensifikuar reagimin inflamator të organeve të frymëmarrjes, alergeneve dhe irrituesve të ndryshëm.

Sot, është një fakt i njohur që fëmijët me astmë mund të luajnë sport dhe të arrijnë rezultate të larta sportive me monitorim dhe kontroll të rregullt të sëmundjes. Diagnoza e astmës bëhet në bazë të anamnezës, ekzaminimit klinik, spirometrisë me test bronkodilator, si dhe testeve të alergjisë për “alergenet inhaluese” dhe analizave të gjakut që përcaktojnë nivelin e “imunoglobulinës E” në serum.

Simptomat

Simptomat kryesore të astmës janë gulçimi, mbytja, fishkëllima dhe kolla. Problemet shfaqen në formën e episodeve të përsëritura që kanë karakter të kthyeshëm. Kolla është kryesisht e thatë, por herë pas here mund të shfaqet pështymë.

Gjatë rikuperimit, pështyma mund të duket si qelb për shkak të niveleve të larta të eozinofileve. Simptomat janë shpesh më të forta gjatë natës ose në orët e hershme të mëngjesit ose kur ato janë përgjigje ndaj stërvitjes ose ajrit të ftohtë. Simptomat e shpeshta shkaktojnë ndërprerje të gjumit, lodhje gjatë ditës dhe ulje të nivelit të aftësisë për punë, por edhe mungesë nga shkolla apo puna.

Shenjat e përkeqësimit të rëndë të astmës janë: vështirësi në frymëmarrje dhe në pushim, pozicion i detyruar i trupit, mërzitje, konfuzion, rrahje të shpejta të zemrës, frymëmarrje e dëgjueshme me fishkëllimë në mushkëri, rraskapitje, barnat që përdoren për eliminimin e shpejtë të simptomave nuk funksionojnë për 1 deri në 2 orë, pamundësia për të shqiptuar fjali më të gjata, që mund të çojë në gjendjen më të rëndë të astmës.

Parandalimi

Ekspozimi i reduktuar ndaj faktorëve të rrezikut mund të lehtësojë simptomat e astmës dhe të parandalojë përkeqësimet. Është pothuajse e pamundur të shmangësh plotësisht disa faktorë rreziku.

Barnat që mbajnë nën kontroll astmën luajnë një rol të rëndësishëm, sepse marrja e këtyre barnave rregullisht redukton ndjeshmërinë ndaj faktorëve të rrezikut dhe mundëson kontroll të mirë të sëmundjes. Humbja e peshës rekomandohet për të gjithë pacientët obezë për të kontrolluar më mirë astmën e tyre.

Vaksinimi i gripit rekomandohet për pacientët e diagnostikuar me astmë, me përjashtim të rasteve të alergjisë ndaj përbërësve të vaksinës. Hulumtimet moderne nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme që pajisjet e jonizimit të ajrit parandalojnë shfaqjen e simptomave të astmës.

Është e nevojshme të ndaloni konsumimin e cigareve, në mënyrë aktive ose pasive. Kur të diagnostikohet astma, mjeku juaj do t’ju sugjerojë një trajtim dhe do t’ju duhet ta përdorni rregullisht dhe të shkoni për kontrolle të rregullta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore