Shqipëria

Përdorën vulat dhe simbolet për ‘Kuvendin e Berishës’, PD kallëzon në SPAK deputetët


Partia Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) disa deputetë demokratë, që ishin pjesë e Kuvendit Kombëtar të mbledhur nga ish-kryeministri Sali Berisha, duke i akuzuar për “falsifikim të vulave, stampave ose i formularëve”, i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 190, paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal.

Selia blu njofton se ka kallëzuar deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Ivi Kaso dhe Ervin Minarolli.

Në kallëzimin drejtuar SPAK-ut thuhet se “këta janë persona që kanë pasur funksione në PD, kanë dijeni për rregullat e statutit dhe e kanë kryer veprën penale të përdorimit të vulës dhe simboleve për të realizuar qëllimet e tyre, pavarësisht se ishin në dijeni të pasojave ligjore”.

PD e ka depozituar kallëzimin në SPAK, pasi tre nga të kallëzuarit janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Rezoluta e re

Të dielën e 12 dhjetorit, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike u miratua rezoluta e propozuar nga Kryesia “kundër lëvizjes dhe veprimeve anti-statutore dhe përçarëse të ndërmarra nga ish-lideri, Sali Berisha”.

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, burime zyrtare për Albanian Post bëjnë me dije se kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi edhe Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.

Në këtë mbledhje, Basha u dha “udhëzime deputetëve demokratë që t’u gjenden pranë familjeve dhe bizneseve që kanë vuajtur pasojat e përmbytjeve të ditëve të fundit”.

Gjithashtu, mësohet se kryedemokrati kërkoi nga deputetët që aktivitetin parlamentar të javës ta ndërthurin me aktivitetin përgatitor në strukturat e Partisë në lidhje me përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë Demokratike këtë të shtunë, më datë 18 dhjetor.

Shkarkimi nga funksioni

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur të dielën nga Kryesia, miratoi me 251 vota pro shkarkimin e anëtarëve të kryesisë së PD-së.

Kjo masë do të përjashtojë nga funksioni kryetarin e Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, dhe anëtarët e kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi.

Ndër të tjera, shkarkimi nga funksioni përfshinte edhe sekretarët Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi dhe Ledina Mandia.

Nga 257 fletë votimi gjithsej të shpallura, katër vota kanë qenë kundër, ndërsa dy janë konsideruar si të pavlefshme.

“Ka qenë zotimi im i parë si kryetar i PD-së, që s’do të ketë kurrë përjashtim të propozuar nga unë. As unë e as ju nuk mbajmë njerëz me forcë. Masat e marra mbrëmë nga Kryesia dhe masat e propozuara sot, nuk janë masa përjashtimi, por shkarkim nga funksionet për shkak të dhunimit flagrant të statutit me pasoja për PD”.

Kështu do të shprehej më herët Basha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Rezoluta

Më herët, ishte Kryesia, e cila miratoi unanimisht një rezolutë.

Kjo e fundit u propozua nga vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, një ditë pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-lideri Sali Berisha për shkarkimin e Bashës.

Rezoluta e miratuar të dielën e ka shpallur Kuvendin e Berishës nul dhe të gjitha vendimet e tjera të ndërmarra prej saj.

Ndërsa ka shpallur se i vetmi Kuvend Kombëtar i ligjshëm do të jetë ai i datës 18 dhjetor.

Ndër të tjera, lëvizjen e Berishës dhe tubimin e djeshëm e ka cilësuar si antiamerikane.

Berisha
Ish-lideri i demokratëve Sali Berisha pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor 2021.

“Lëvizja Berisha dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shpërbërjen e saj si forca më pro-perëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA-ve”, thuhej në rezolutë.

Më tej, kjo rezolutë theksonte se, “kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës”.

Në përfundim, Këshilli Kombëtar i PD-së ka shprehur luftën e saj kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.

Lëvizja e Bashës erdhi pasi Kuvendi i thirrur nga ish-lideri demokrat, shkarkoi me 4 mijë e 446 vota pro kryedemokratin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore