Lajme

Përballjet e njerëzve me arinjtë polarë më të rrezikshme teksa akulli shkrin


Javën e kaluar, një ari polar ndoqi banorët pranë një shkolle në një fshat të vogël në Alaskë duke vrarë një nënë dhe djalin e saj 1-vjeçar përpara se një banor tjetër ta qëllonte për vdekje ariun.

Sulmet e arinjve polar janë relativisht të rralla.

Midis viteve 1870 dhe 2014, ka pasur vetëm 73 sulme të dokumentuara nga arinjtë polarë të egër në të gjithë Kanadanë, Greenland-in, Norvegjinë, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke rezultuar në 20 vdekje të njerëzve.

Por sulmi i fundit ka ngritur pyetje nëse ndikimi i ngrohjes globale rrit rrezikun e sulmeve nga arinjtë polarë, të cilët janë grabitqarë të fuqishëm.

Asnjë sulm individual nuk mund t’i atribuohet ndryshimeve klimatike, por temperaturat në rritje po shkrijnë akullin në të cilin arinjtë polarë lundrojnë për të gjetur të tjerë, për të rritur këlyshët dhe për të gjuajtur foka për të mbështetur dietën e tyre të pasur me yndyrë.

Dhe kjo shkrirje e akullit ka vënë po ashtu në rrezik rënie popullsinë e arinjve polarë.

Sipas shkencëtarëve, ndryshimi i klimës po e detyron mishngrënësin e Arktikut të kalojë më shumë kohë në brendësi sesa në të kaluarën, duke rritur mundësinë e përplasjeve që mund të jenë të rrezikshme si për njerëzit ashtu edhe për arinjtë.

Para javës së kaluar, sulmi i fundit vdekjeprurës i ariut në Alaskë ishte në vitin 1990.

Sipas Geoff York – drejtor i lartë i ruajtjes në grupin mjedisor Polar Bears International – ariu asokohe shfaqi shenja urie, ngjashëm si të tjerët që mund të sulmojnë.

“Kafshët në gjendje të keqe trupore kanë më shumë gjasa të rrezikojnë. Ata kanë më shumë gjasa të jenë të dëshpëruar dhe të bëjnë gjëra që një ari i shëndetshëm zakonisht nuk do t’i bënte. Dhe këta janë arinjtë për të cilët njerëzit duhet të shqetësohen”, ka thënë York.

Ai ka dalluar se ‘takimet’ e njerëzve me arinjtë polarë pritet të rriten pasi arinjtë polarë kalojnë më shumë kohë në breg në më shumë vende.

Studiuesit kanë raportuar se kanë parë një “prani të shtuar” të arinjve polarë në tokë dhe në zonat bregdetare, nga Alaska, në gjirin Baffin pranë Greenland, në Svalbard, një arkipelag norvegjez në Oqeanin Arktik në veri të Evropës kontinentale.

Dhe disa komunitete në afërsi të krijesave të mëdha janë përpjekur të zvogëlojnë rreziqet e takimeve të njeriut me ariun, duke përfshirë patrullimet e arinjve polarë në Rusi dhe Kanada.

Marrë nga “The Washington Post”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore