Lajme

Për Zelenskyn, qindra falënderime nuk janë qindra tanke


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky të premten e 20 janarit u bëri thirrje vendeve që të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë pa vonesa, duke paralajmëruar se “qindra falënderime nuk janë qindra tanke”.

Në një fjalim virtual në fillim të një takimi të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Gjermani, Zelensky tha se rezultatet e unitetit dhe mbështetjes së aleatëve shihen në fushën e betejës në Ukrainë.

Megjithatë ai ngriti pyetjen: “A kemi shumë kohë?”

“Jo, terrori nuk lejon diskutime, terrori që djeg qytet pas qyteti, bëhet i pafytyrë kur mbrojtësve të lirisë u mbarojnë armët kundër tij. Lufta e nisur nga Rusia nuk lejon vonesa”, tha presidenti ukrainas.

Ky i fundit shtoi se qindra falënderimet nga ana e tij nuk përkthehet në qindra tanke.

“Të gjithë ne mund të përdorim mijëra fjalë në diskutime, por unë nuk mund të vendos fjalë në vend të armëve që duhen kundër artilerisë ruse ose në vend të raketave kundërajrore që nevojiten për të mbrojtur njerëzit nga Sulmet ajrore ruse”, tha ai.

Zelensky shtoi se ai është “me të vërtetë mirënjohës” për armët që aleatët kanë ofruar deri më tani, por “koha mbetet një armë ruse”.

“Çdo njësi ndihmon për të shpëtuar njerëzit tanë nga terrori. Por koha – koha mbetet një armë ruse. Ne duhet të shpejtojmë. Koha duhet të bëhet arma jonë e përbashkët, ashtu si mbrojtja ajrore dhe artileria, automjetet e blinduara dhe tanket, për të cilat po negociojmë me ju”.

Zelenskyt ‘i humb durimi’ me Gjermaninë: Na i jepni tanket Leopard

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore