Shqipëria

Për herë të parë, reforma e mbështetjes së personave me aftësi ndryshe


Për herë të parë, ka nisur implementimi i reformës që mbështet personat me aftësi ndryshe, në qytetin e Krujës, të martën e 21 shtatorit.

Përmes një vlerësimi shëndetësor dhe social, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se skema e mbështetjes së personave me aftësi ndryshe do të përfshijë dhe fëmijët e moshës 0-2 vjeç.

Ndërsa ka vizituar Qendrën Shëndetësore të Krujës, ajo ka thënë se “skema e re e vlerësimit të personave me aftësi ndryshe ka filluar në Tiranë dhe do të shtrihet më pas në Durrës”.

Gjatë muajit tetor, kjo reformë do të shtrihet edhe në Elbasan, duke vijuar më pas në të gjitha qarqet e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së mbajtur mes bluzave të bardha, ministrja ka shpjeguar se në fokus të kësaj reforme, janë  “ulja e çdo abuziviteti dhe burokracive”, si dhe “rritja më tepër e transparencës”.

Manastirliu, ndër të tjera, tha se “mbi 160 mijë persona në nevojë mbështeten nga shteti”.

Me synim modernizimin e kësaj skeme, ajo theksoi se përkrahja e kategorie do të vijojë.

Nga kjo shifër, 75 mijë janë persona me aftësi ndryshe, 72 mijë janë persona të cilët janë invalidizuar në punë dhe rreth 18 mijë janë ndihmës apo kujdestarë të personave të cilët kanë problematika të thelluara shëndetësore”.

Bëhet e ditur se, me vlerësimin e ri bio-psiko-social, personat mbështeten financiarisht sipas shkallës së sëmundjes dhe kompleksitetit të saj. Gjë e cila përcaktohet nga komisionet e dedikuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore