Lajme

Për demarkacionin e gazit dhe protestave, Qeveria s’flet më


Albin Kurti, dita kur u votua demarkacioni

“Sot 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës iu bashkuan tradhtisë së presidentit (Hashim) Thaçi dhe shkeljes së integritetit dhe Kushtetutës së Kosovës”.

Kështu i pati cilësuar udhëheqësi i opozitës Albin Kurti kolegët e tij në vitin 2018, me 21 mars, kur Kuvendi nën tym të gazit syngacmues, policëve në Kuvend e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në pranga, mezi pati arritur ta ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Rezistenca e asaj dite, ishte vetëm e fundit nga dy vite e më shumë protesta, gaz lotsjellës e tensione, prejse marrëveshja ishte nënshkruar me Malin e Zi.

Vetëvendosje e kishin akuzuar ashpër edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, se si nga protestat e përbashkëta kundër demarkacionit, për “një çerek metri karrige” fali 8.200 hektarë të Kosovës.

Kurti nga opozita më shumë se protestë, gaz e sharje s’mund të bënte.

Por, u kishte premtuar atyre që e dëgjonin dhe gjithë deputetëve “tradhtarë” se me të ardhur ai në pushtet gjithçka do përmbysej, procesi do kthehej mbrapa dhe do rishikohej, sepse “toka nuk falet”.

Qeveria Kurti 2 është tash e një vit. Albin Kurti asnjëherë të vetme nuk e ka përmendur Demarkacionin me Malin e Zi.

Nga një kauzë që ia vlente burgu, demarkacioni u harrua duke u shndërrua në diçka aq jo të vlefshme sa të mos përmendej më fare.

Për ironi, atë e kujtoi Dritan Abazovic, kryeministri i ri i Malit të Zi, por vetëm për të thënë se “është çështje e mbyllur”.

“S’ka mundësi për korrigjim”, deklaroi Abazoviç. “Në Mal të Zi atë as nuk e trajton dikush si problem”.

Por, për këtë deklarim të kryeministrit shqiptaro-malazez nuk pati asnjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës dhe as nga kryeministri Albin Kurti.

Ai në Facebook doli me një video, por vetëm për të treguar se sa mirë ka kaluar në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po udhëton tash për në Teksas, për të kaluar shumë mirë edhe atje.

Kurti në opozitë këshillonte kryeministrat e tjerë, për shembull Ramush Haradinajn, se si veprimi i tij i parë si kryeministër duhet të jetë formimi i një komisioni të ri shtetëror për këtë çështje.

Derisa, edhe nëse Mali i Zi hipotetikisht do refuzonte një ri-shikim, lideri i Vetëvendosjes e kishte gjetur zgjidhjen.

“Çështja duhet të shkojë në arbitrazh”, deklaronte.

Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur për Albanian Post as përse nuk po e themelon komisionin shtetëror dhe as në pyetjen për atë çfarë Abazovic deklaroi të martën.

Qeveria e Kosoves

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ishte nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë.

E njëjta më pas, ishte plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy ish-presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi, Filip Vujanovic.

Madje, në atë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhej se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, “të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore