Sport

Penallti, kaos dhe në fund barazim, Partizani bën paqe me Kukësin


Partizani nuk ka mundur të shfrytëzojë një penallti në sekondat e fundit për të dal triumfues në “Kukës Arena” përballë vendasve, duke u ndalur kështu në një barazim 1-1.

Në “Kukës Arena”, vendasit dhe “Demat” u përballën në ndeshjen e javës së 17 të Abissnet Superiores së Shqipërisë. Ishte një ndeshje e luftuar deri në sekondën e fundit, e cila pati dhe disa momente kaosi pasi disa persona të paautorizuar u futën në fushë pas akordimit të 11 metërshit për miqtë.

Me rezultatin e arritur, të dyja skuadrat mund të quhen “Mbretërit e barazimeve”. Kjo pasi Kukësi tashmë ka katër ndeshje radhazi që barazon, ndërsa Partizani gjashtë, pesë prej të cilave në shifrat 1-1.

Pjesa e parë e takimit u mbyll me rrjeta të paprekura. Kukësi do të gjente golin i pari, në minutën e 79, kur Mario Beshiraj përfitoi nga një top vakant në zone për të mposhtur Pano Qirkon.

Megjithatë, avantazhi i verilindorëve do të zgjastë vetëm një minutë. Alfred Mensah shfrytëzoi maksimalisht një krosim të David Atanaskoski-t për të barazuar takimin.

Në minutat e mbetura të lojës të dyja skuadrat u hodhën në sulm për të gjetur golin e fitores. Ishin pikërisht këto minuta që ngjasonin me një duel të Premier League angleze ku topi kalonte nga një portë në tjetrën.

Partizani do të kishte një shans të artë me Valentino Muratajn në minutën e 91-të, por mesfushori gjuan ngjitur me shtyllën.

Gjashtë minuta më vonë, “Demat” do të fitonin 11 metërsh pas një dalje të gabuar të portierit dhe njëkohësisht kapitenit të Kukësit, Angelo Tafas.

Me akordimin e 11 metërshit, i cili u dha pasi gjyqtari kryesor, Shahini, u konsultua me dhomën e VAR-it dhe më pas shkoi vetë për ta parë rastin pati dhe disa çaste kaotike.

Persona të paautorizuar, mbështetës të skuadrës vendase, hynë në fushë për të sulmuar arbitrin. Megjithatë, kjo skenë e shëmtuar u zgjidh shumë shpejt falë ndërhyrjes së forcave të sigurisë dhe policisë.

Dhe, në minutën e 11-të të kohës shtesë, pasi situata ishte qetësuar, Murataj mori përsipër ekzekutimin e penalltisë të cilën e humbi. 11 metërshi ishte dhe aksioni i fundit i lojës, e cila u mbyll në shifrat 1-1.

Me barazimin në takimin e sotëm, Partizani qëndron ende në vendin e dytë në Superiore me 32 pikë. Egnatia e vendit të parë ka 34 pikë dhe një ndeshje më pak se “Demat”.

Kukesi ngjitet në kuotën e 18 pikëve dhe në vendin e shtatë në renditje.

Superiorja do të luajë këtë të shtunë një tjetër takim për javën e 17. Dinamo City do të përballet me Egnatian (ora 17:00).

Të dielën do të zhvillohen takimet: Tirana – Vllaznia, Erzeni – Teuta dhe Skënderbeu – Laçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore