Lajme

Pekini e nënvlerëson kurbën e infektimeve me COVID, thotë zyrtari i OBSH-së


“Kina deklaron një numër relativisht të ulët të pranimeve në njësitë e kujdesit intensiv, por nga çka dëgjojmë këto njësi po tejmbushen”.

Të paktën kështu ka thënë Mike Ryan, drejtor i urgjencave për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke shtuar se Kina po e nënvlerëson kurbën e infektimeve.

OBSH-ja, pak ditë më parë, e pa fundin e pandemisë si të afërt sepse me vaksinat dhe terapitë bota ka mësuar të jetojë me coronavirus-in.

Por në Kinë, shpërthimi i papritur i infektimeve e ka ndryshuar opinionin e organizatës, e cila tani flet me nota shqetësimi.

Ajo po kërkon “të dhëna më të sakta për të vlerësuar rrezikun” dhe po bën thirrje për një përshpejtim të vaksinimit.

Sakaq, do të jetë e vështirë të merret siguri nga Pekini pasi referuar statistikave shtetërore të atjeshme, askush nuk ka vdekur nga COVID-i dy ditët e fundit.

Dhe jo vjen për shkak të një sistemi të ri, ku sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, vdekjet e pacientëve pozitivë regjistrohen si “vdekje nga COVID-19” vetëm nëse kjo është shkaktuar nga pneumonia dhe dështimi i frymëmarrjes, pa patologji të tjera.

Kjo është arsyeja pse, megjithëse Pekini është sulmuar nga një valë e paprecedentë infektimesh prej dy javësh, askush nuk është deklaruar i vdekur nga COVID-i.

Në certifikatat e vdekjes si arsye jepen arresti kardiak apo sëmundje të tjera që bllokojnë funksionimin e organeve vitale.

Kina ka zhvilluar nëntë vaksina kombëtare, të cilat ende duhet të përditësohen për variantin Omicron dhe për fat të keq nuk kanë qenë të përhapura në grupin e popullsisë më të vjetër.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se duhet të tregohet vigjilencë sepse në këtë situatë ekziston mundësia që coronavirus-i të ndryshojë më tej pasi përhapet në Kinë dhe përfaqëson “një kërcënim të ri për popullsinë e botës”.

Një dërgesë e vaksinave BioNTech u nis nga Gjermania të mërkurën, e para që shkoi në Kinë që nga shpërthimi i pandemisë.

Dozat janë të destinuara për 20 mijë shtetasit gjermanë që banojnë atje.

Është rezultat i një marrëveshjeje të nënshkruar në nëntor midis kancelarit Olaf Scholz dhe Xi Jinping dhe është një hap në drejtimin e duhur të bashkëpunimit në fushën e vaksinave paçka se janë në sasi të kufizuar.

Administrata amerikane i ka ofruar bashkëpunim Pekinit, por duke pasur parasysh rivalitetin politik midis dy superfuqive, duket shumë e pamundur që kinezët të pranojnë furnizime masive me barna të prodhuara në SHBA.

Thuajse 700 milionë infektime dhe më shumë se gjashtë milionë vdekje janë regjistruar në botë për shkak të pandemisë.

Kurse Kina në total ka numëruar 5 mijë e 241 vdekje, pothuajse të gjitha në tre muajt e parë katastrofik midis janarit dhe marsit 2020.

Ndërkaq, 90 për qind e rasteve në këtë valë duket se janë asimptomatike, por vdekshmëria kaq e ulët midis pacientëve kinezë me simptoma duket e pabesueshme përballë statistikave në mbarë botën.

Këto të fundit luhaten midis 2 mijë e 400 dhe tre mijë vdekje për një milion banorë.

Ndërsa Kina ka ngecur në tre për një milion.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore