Lajme

PE-ja fton BE-në – sërish – që të vendosë masa ndaj Serbisë nëse vërtetohet përfshirja në terrorizmin e 24 shtatorit


Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian (PE) miratoi të enjten e 29 shkurtit një rezolutë mbi zbatimin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian (BE) për vitin 2023, në të cilën shprehu shqetësimin e thellë për refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe ndikimin destabilizues të autoriteteve serbe në Ballkanin Perëndimor.

Në dokumentin e përpiluar nga Komiteti për Politikë të Jashtme (AFET), specifikohet se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë rreshtuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përveç Serbisë që refuzon të përshtatet me qëndrimet e përbashkëta të BE-së, posaçërisht sa u përket çështjeve që ndërlidhen me agresionin rus në Ukrainë.

Institucionet e BE-së ftohen gjithashtu që të marrin masa ndëshkuese ndaj Serbisë nëse rezulton se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023 dhe në protestat e dhunshme që shpërthyen në veriun e vendit në maj të vitit të kaluar.

Rezoluta e PE-së bën thirrje edhe për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnike, përfshirë kërkesën që BE-ja të ndryshojë qasjen në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

PE-ja miratoi një rezolutë në tetor të vitit 2023 mbi zhvillimet e fundit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku i kërkoi Komisionit Evropian (KE) që të ngrijë fondet për Serbinë në kuadër të instrumentit të ndihmës së para-anëtarësimit (IPA3), nëse rezultatet e hetimeve vërtetojnë se shteti serb ka qenë i përfshirë në sulmin terrorist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore