Lajme

PDK: Qeveria kontrabandoi dy ligje me të cilat goditi veteranët dhe UÇK-në


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe koordinatori i Departamentit për Financa, Arben Mustafa.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe koordinatori i Departamentit për Financa në kuadër të KQM-së, Arben Mustafa, kanë denoncuar vendimet e partisë në pushtet në Kuvendin e Kosovës ku janë miratuar dy ligje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një konference për media Deliu dhe Mustafa, kanë thënë se përmes këtyre vendimeve pozita në njërën anë përjashton veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga përfshirja në pagën minimale.

Deliu, ka pasur kritika edhe për miratimin e projektligjit të institutit për krime luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

“Serbia ka dërguar me mijëra dokumente e fabrikime kundër UÇK-së në Hagë. Përmes kalimit të këtij ligji, në këtë lloj forme, Qeveria i ka përforcuar këto akuza kundër UÇK-së. Kryeministri Kurti ka mashtruar në deklarimin e tij publik mbrëmë, duke iu drejtuar qytetarëve se kohëzgjatja e hetimit të këtij instituti shtrihet vetëm gjatë luftës në Kosovë, 98-99. Ky është një mashtrim i radhës”.

“Kryeministri deklarohet në Facebook ndryshe, ndërsa, në fakt, kohëzgjatja e hetimit të këtyre krimeve është deri në 31 dhjetor të vitit 2000”, ka thënë ajo.

Para gazetarëve ajo e ka quajtur vendimin e Qeverisë si skandal i radhës për të cilin nuk do të qëndrojnë të heshtur.

“Cilat janë ato krime të cilat kanë ndodhur pas mbarimit të luftës në Kosovë dhe për çfarë krime po flet ky kryeministër, i cili, bashkë me bashkëpartiakët e tij, mbrëmë, në terr, ka marrë një vendim të padinjitetshëm dhe antikombëtar dhe të cilat shkojnë në linjë me fabrikimet kundër UÇK-së”.

“PDK do të jetë konsistente për të ndalur këtë qasje antikombëtare të kësaj Qeverie e cila koordinohet me Radojçiqin– në marrjen e vendime në dëm të interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”.

Edhe koordinatori i Departamentit për Financa në kuadër të KQM-së, Arben Mustafa, e ka quajtur “vendim skandaloz” të Qeverisë së Albin Kurtit.

“Arsyeja e lidhjes së pensionit të veteranit të luftës çlirimtare me pagën minimale ka qenë vlerësimi se aq para i nevojiteshin një familje kosovare që t’i plotësonte nevojat minimale të jetesës. Këtu nuk duhet harruar se përfituesit e pensionit të veteranit varen vetëm nga ky burim i të hyrave sepse nuk kanë të drejtë punësimi”.

“Por, çka po ndodhë sot? Qeveria e Kosovës me vendimin për përjashtimin e veteranëve nga rritja e pagës minimale po konstaton se për një familje kosovare që ka një të punësuar nuk mjafton një pagë minimale prej 170 euro për t’i plotësuar nevojat bazike të jetesës por i duhen 264 euro, ndërsa një familje e veteranit të UÇK-së duhet të mjaftohet me 170 euro”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se ky vendim paraqet një diskriminim “të paskrupullt” ndaj një kategorie të qytetarëve.

“Në fakt, nga këta njerëz që luftëtarët e lirisë i krahasojnë me mercenarë dhe ankohen për ta te Slavko Simici e Milan Radojçiçi nuk mund edhe të pritej ndonjë gjë më e mirë”.

Ai shtoi se PDK-ja nuk do të heqë dorë nga kërkesat për t’u siguruar një jetë më të dinjitetshme.

“Në momentin që ky ligj del në gazetën zyrtare, PDK do të marrë të gjitha masat për ndryshim-plotësimin e këtij ligji”.

Mustafa, konsideron se niveli i pagës minimale paraqet vetëm edhe një dorëzim tjetër të kësaj Qeveria.

“Kjo pagë minimale ishte propozuar nga kjo Qeveri vite më parë dhe nga qytetarët dhe përfaqësuesit e punëtorëve ishte konsideruar si e pamjaftueshme për t’i plotësuar nevojat minimale për jetesë të një familje kosovare”.

“Në ndërkohë, në Kosovë ka ndodhë një rritje shumë e madhe e çmimeve, që po varfëron çdo ditë e më tepër qytetarët e Kosovës. Produkte të shumta bazike kanë shënuar rritje prej mbi 40 e 50%, ndërsa energjia elektrike e tatimi në pronë janë rritur me mbi 100%”.

Edhe, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shtunën, me fillim nga ora 18:00 kanë paralajmëruar protestë kundër Qeverisë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore