Shqipëria

PD padit në SPAK Ramën, ministra, deputetë dhe kryebashkiakë të PS-së


Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) ka kallëzuar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe disa nga drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste (PS)  për veprat penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

PD-ja ka dorëzuar një kallëzim ndaj kryeministrit, disa ministrave të kabinetit qeveritar, si dhe ndaj disa kryetarëve të bashkive që udhëhiqen nga PS-ja.

Disa nga shembujt e sjellë janë përfshirja e Edi Ramës, Elisa Spiropalit, Taulant Ballës, Belinda Ballukit, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt etj në aktivitete që kanë të bëjnë, kryesisht, me rindërtimin pas tërmetit, ku përdoren burime dhe para publike, si dhe me dhënien e certifikateve të legalizimit apo investimeve të tjera publike”, shkruhet në njoftimin e PD-së në Facebook.

Sipas marrëveshjes së qershorit të kaluar, ndalohet publikimi i këtyre aktiviteteve edhe nga një vendim i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ).

Pak kohë më parë PD-ja  ka dorëzuar një kallëzim në SPAK për Ministren Olta Xhaçka. PD-ja ka denconcuar se Xhaçka ka përdorur disa herë helikopterin ushtarak për të udhëtuar për qëllime elektorale.

Duke qenë se nga SPAK nuk ka ende reagime  lidhur me kallëzimet e PD-së, kjo e fundit i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion “të tregojë me vepra, se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është apo jo i pasur apo  i veshur me pushtet”, shkruhet në kallëzimin  e PD-së./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore