Shqipëria

PD kallëzon në SPAK Edison Memollën dhe 7 zyrtarë të tjerë socialistë


Partia Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme SPAK kreun e sapozgjedhur të Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memollën, për akuzën e shit-blerjes së votave si edhe shtatë zyrtarë socialistë në Shkodër dhe Vaun e Dejës.

Sipas akuzave nga PD-ja, Memolla ka qenë direkt i përfshirë në blerje votash. Konkretisht, ai përflitet se ka kërkuar nga punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të japin votat për të në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Sa i përket shtatë zyrtarëve socialistë në Shkodër dhe Vaun e Dejës, ata akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion aktiv në zgjedhje si edhe përdorim të funksionit publik për veprimtari politike.

“Grupimet e individeve të angazhuar në skemat e shitblerjes së votës gjenerohen dhe kulmojnë tek eksponentë politikë të njohur rajonalë apo në drejtues të pushtetit qendror apo lokal”, shkruhet në njoftim.

Në kallëzimet e bëra janë edhe pesë anëtarë të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor 26 në Vorë. Sipas PD-së, ata kanë ndikuar në procesin e 6 marsit në mënyrë të jashtëligjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore