Shqipëria

PD dhe taktika e kallëzimit në SPAK


Partia Demokratike (PD) ka kallëzuar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, me akuzën “shpërdorim i detyrës”.

Kjo nuk është kërkesa e parë e PD-së drejtuar SPAK-ut, për hetime ndaj drejtuesve të qeverisjes qendrore ose vendore.

Në 17 shtator të 2020-ës, PD-ja ka paditur në SPAK ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, drejtorin e Përgjithshëm në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Edison Konomi dhe kryetarin e Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi.

Sipas PD-së, ata akuzohen për “krime mjedisore dhe korrupsione mjedisi” në Parkun Kombëtar të Dajtit, në Monumentin e Natyrës “Uji i Ftohtë” në Tepelenë.

Gjithashtu, demokratët kanë paditur ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe autoritetet ushtarake, në 4 dhjetor 2020, me akuzën “shpërdorim të detyrës dhe përdorim të funksionit publik për veprimtari politike dhe zgjedhore”.

Sipas tyre, Xhaçka “ka manipuluar të dhënat” për përdorimin e helikopterit ushtarak në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste.

Kallëzimi i PD-së që bëri më shumë bujë, ishte ai ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe i 15 ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe drejtorëve.

Ato janë akuzuar nga demokratët për “shpërdorim detyre” dhe “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Partia Demokratike zgjedh të kallëzojë në SPAK, drejtuesit e kabinetit të qeverisë, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, që do të zhvillohen me 25 prill 2021.

Kjo mund të jetë lëvizje e demokratëve që “tenton” të prekë elektoratin gri (votuesit e pavendosur se kë parti do të mbështesin në zgjedhjet parlamentare).

Kujtojmë se në 18 shkurt të 2019-ës, opozita kërkoi largimin e kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kjo kërkesë erdhi pas vendimit të saj për të djegur mandatet parlamentare të propozuar nga lideri i PD-ës, Lulzim Basha. Vendimi u mbështet nga partitë e tjera opozitare.

Albanian Post ka vendosur të thellohet më tej me qëllim transmetimin e fakteve dhe të së vërtetës, duke i dërguar një kërkesë zyrtare SPAK-ut lidhur me kallëzimet e PD-ës ndaj Qeverisë. Por, deri tani nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Krijimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka filluar ushtrojë funksionet e saj në 19 dhjetor 2019.

SPAK nisi punën me tetë prokurorë dhe pastaj gjatë vitit 2020 janë emëruar dhe pesë prokurorë të tjerë.

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatave të posaçme, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj, në mënyrë të pavarur.

Procedura për kallëzim në SPAK

Kodi i Procedurës Penale ka të parashikuar qartë detyrimin e organit të Prokurorisë për të trajtuar kallëzimet që i referohen nga nëpunësit publikë (përfshirë institucionet), personeli mjekësor dhe çdo qytetar që është në dijeni të fakteve të dyshuara si vepra penale.

Dispozitat përkatëse parashikojnë mënyrën se si kallëzuesit i drejtohen Prokurorisë.

Kallëzimet penale i drejtohen Prokurorisë së rrethit ku ka ndodhur ose është tentuar të ndodhë vepra penale ose vendi ku ka ardhur pasoja. Nëse kjo nuk mund të përcaktohet, atëherë kallëzimi i drejtohet prokurorisë ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin i dyshuari për kryerjen ose tentativën e veprës penale.

Më pas Prokuroria e Posaçme regjistron padinë dhe e shqyrton atë nëse është e rëndësishme të hetohet. Nëse Prokuroria e vlerëson si të rëndësishme kallëzimin e bërë nga pala akuzuese, atëherë vendos hetimin e çështjes. Pas një periudhe të caktuar, të vendosur në varësi të çështjes, vlerësohet formalizimi ose jo i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore