Lajme

Paundi dhe stoqet britanike u rritën pas raporteve për dorëheqjen e Johnson-it


Paundi britanik u rrit me gati 0.5% kundrejt dollarit amerikan në mëngjesin e së enjtes, pas raportimeve të mediave për dorëheqjen e kryeministrit Boris Johnson, e cila do t’i japë fund një krize politike që filloi në krye të kësaj jave, pasi disa ministra të lartë dhanë dorëheqjen nga kabineti qeveritar.

Pas lajmeve për dorëheqjen, paundi u rrit 0.5% kundrejt dollarit dhe pothuajse arriti në 1.20 dollarë.

Edhe pse tregjet e aksioneve në Mbretërinë e Bashkuar nuk kishin reaguar më parë ndaj dramës politike në Downing Street, indeksi FTSE 100 i bursës së Londrës u rrit më shumë se 1% në tregtimin e mëngjesit.

Indeksi FTSE 250, i fokusuar më shumë në kapitalin mesatar, u rrit gjithashtu me më shumë se 0.8%.

Walid Koudmani, analisti kryesor i tregut në firmën e ndërmjetësimit XTB, për “The Telegraph” tha se “nga dorëheqja e Boris Johnson si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar do të marrë frymë lehtësimi për investitorët në Mbretërinë e Bashkuar pasi zvogëlon pasigurinë e qeverisë”.

Sipas websajt-it britanik të basteve Ladbrokes, ministrja e tregtisë ndërkombëtare të vendit, Penny Mordaunt, është e preferuara e basteshkruesve për të zëvendësuar Johnson-in si kreun e partisë konservatore me shanse 5/1.

Edhe pse dha dorëheqjen, Johnson planifikon të qëndrojë si kryeministër i përkohshëm, derisa partia e tij të zgjedhë një udhëheqës të ri.

Gjatë muajve të fundit, kryeministria e Johnson-it është rrethuar nga disa skandale politike të profilit të lartë, duke përfshirë sjellje të pahijshme seksuale kundër një kolegu dhe raportet e shumë festave në godinën qeveritare, ndërsa pjesa tjetër e Britanisë ishte nën izolim, për shkak të COVID-19.

Trazirat politike arritën kulmin në fillim të kësaj jave, pasi shumë ministra të lartë dhanë dorëheqjen nga postet e tyre, ndërsa vunë në pikëpyetje sjelljen e Johnson-it dhe aftësinë e tij për të shërbyer si kryeministër.

Johnson fillimisht u shfaq luftarak dhe refuzoi të jepte dorëheqjen, pasi emëroi disa zëvendësues për vendet vakante të kabinetit.

Megjithatë, rryma duket se u kthye kundër Johnson-it të enjten, pasi një nga të emëruarit e tij të rinj dha dorëheqjen pas vetëm 48 orësh dhe kancelari i tij i sapoemëruar gjithashtu i kërkoi atij të jepte dorëheqjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore