Shqipëria

Pastorët heronj të policisë për t’u adoptuar


Pastori gjerman Konti, pas vitesh të tëra në kërkim të parave të paligjshme në aeroportet shqiptare, i duhet të ndryshojë rrjedhë.

Tanimë, ai do të qëndrojë krah partnerit të tij në luftën kundër krimit, mbajtësit Ilir Balla.

Duket se qeni 10-vjeçar është me fat.

Balla e ka adoptuar atë pas tërheqjes nga policia, duke u zotuar se do të kujdeset për të “deri në ditët e fundit të jetës”.

“Marrëdhënia me kafshën është e veçantë për të gjithë, por lidhja jonë është e ndryshme”, ka treguar Balla.

“Jemi një ekip dhe lidhja mes nesh është shumë e fortë, shumë e veçantë”, ka shtuar ai.

Në Tiranë, Instituti i Trajnimit të Qenve të Policisë numëron më shumë se 80 qen që punojnë me policinë, duke përfshirë pastorët gjermanë dhe belgë.

Atje, secili nga qentë zotëron aftësi të ndryshme, që nga zbulimi i drogës, armëve apo kartëmonedhave.

Ndër më të njohurit është Brandi, një pastor gjerman që u bë popullor gjatë përpjekjeve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit të vitit 2019, në të cilin u lanë të vrarë afro 50 njerëz.

Për t’u adoptuar

Për Kontin, i cili u tërhoq nga forca për shkak të dëmtimit të shikimit, Balla ka treguar se ka ende një “hundë të jashtëzakonshme”.

Gjatë viteve të shërbimit të tij, ai ka ndihmuar në zbulimin e sasive të mëdha të parave të padeklaruara në aeroportin e Tiranës.

Ai është pjesë e 20 qenve që janë tërhequr së fundmi nga “karriera” në Policinë e Shtetit, për shkak të moshës apo problemeve me performancën.

Pasi të dalin në pension, qentë janë zyrtarisht të hapur për adoptim, me çmime që variojnë nga 60 në 170 euro. Nganjëherë edhe me çmime më të larta.

Si të trajnuar me përpikëri, ata ofrojnë avantazhe të dukshme për pronarët e mundshëm.

Një prej atyre që e kanë ndërmarrë hapin e adoptimit të një qeni policie në pension është Saimir Hasmataj.

Ai ka adoptuar qenin Orsa për familjen e tij.

Arsyeja pse ai zgjodhi Orsën nëntë vjeç është se kishte një historik të pasur krahasuar me një qen mesatar. Fundja, kishte shpëtuar jetë gjatë kryerjes së detyrave.

Për shumë nga oficerët e policisë që kanë punuar ngushtë me ta ndër vite është e vështirë të lënë pas shokët e tyre të besuar kur të dalin në pension.

Heronjtë

Dritan Zela, oficer i narkotikëve, nuk ka mundësi ta marrë në shtëpi Diksin pasi nuk ka hapësirë.

Por ai do ta kujtojë pastorin gjerman 11-vjeçar si një partner “të shkëlqyer” që i ka shpëtuar jetën në shumë raste.

Madje, kujton se një herë qeni u hodh mbi të kur u sulmuan.

“Diksi kishte një instinkt të vërtetë për të më mbrojtur, gjë që e shtyu të përballej me më të keqen”, ka treguar ai.

“Më vjen keq për largimin e tij, kemi vite bashkë, jemi si një familje”, ka thënë oficeri 51-vjeçar.

Po ashtu ka thënë se do t’i mungojë. Ama kudo që të jetë do të shkojë ta vizitojë.

“Ata janë të gjithë heronjtë tanë”, ka përmbyllur Zela.

Marrë nga “France24”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore