Lajme

Pas vrasjeve në Pejë, PDK pezullon të gjitha aktivitetet


Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës, ka marrë vendim që të enjten e 9 shtatorit të pezullojnë të gjitha aktivitetet politike, pas rastit tragjik në Pejë.

“Ndarja e papritur dhe tragjike nga jeta e Astrit Ademajt dhe Blerand Kadrijajt na ka tronditur rëndë të gjithëve. Në shenjë nderimi dhe respekti për ta, Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që sot të pezullojë të gjitha aktivitetet e saj politike anembanë vendit”, ka bërë të ditur PDK përmes një postimi në Facebook.

Edhe, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo komunë do të pushojë gjithë aktivitetin e saj për dy ditët e ardhshme.

“Në shenjë nderimi per bashkëvendasin tonë, ish-kandidatin për Kryetar të Deçanit, z.Blerand Kadrijaj, Aleanca për Ardhmerinë e Kosoves – AAK, në Deçan, e pushon gjithë aktivitetin e saj për dy ditët e ardhshme”, ka shkuar Ramosaj.

Duke shtuar se kjo po bëhet, “në shenjë nderimi për Blerandin, familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë qytetarët e komunës sonë! Sot nuk është dita të flasim për vota. Sot është ditë pikëllimi për Deçanin!”.

Po ashtu, Ramosaj u shpreh se dita e mërkurë e 9 shtatorit, uron që të mos përseritet kurr më.

“Mëngjesi i djeshëm na tronditi me zjarrin në fshatin Ujzë në Gjakovë, ku humbën jetën dy fëmijë̈ të familjes Sadrijaj”.

E pas kësaj “mbrëmja na tronditi me vrasjen e dyfishtë në Pejë ku humbën jetën Astrit Ademaj nga Peja dhe Blerand Kadrijaj nga Rastavica e Deçanit”.

Ngjarja që tronditi Pejën të mërkurën mbrëma

Të mërkurën mbrëma, rreth orës 20:20 një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Pejës.

Dy persona mbetën të vdekur dhe një u plagos pas disa të shtënave me armë në këtë qytet.

Ngjarja është zhvilluar në afërsi të shkollës ekonomike ‘Ali Hadri’ në Pejë, ku janë dëgjuar disa të shtëna me armë, pas të cilave policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Si pasojë e të shtënave tre persona kanë pësuar lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë. Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e dy viktimave të këtij rasti”, ka thënë Policia Rajonale këtij qyteti.

Në vendin e ngjarjes përveç Policisë, ka dalë edhe prokurori i shtetit të cilët së bashku “po kryejnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes”, duke filluar kështu edhe hetimet e kësaj ngjarje.

Pas raportimit të ngjarjes, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, zbuloi edhe dy emrat e personave të cilët ndërruan jetë në Spitalin e Pejës.

Bëhet fjalë për Astrit Ademaj, kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe i vdekuri i dytë është Blerand Kadrijaj, ish kandidat për Kryetar të Kounës së Deçanit në zgjedhjet e 2017-tës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore