Shqipëria

Pas përkeqësimit në testin PISA, Manastirliu prezanton planin e arsimit për ‘të ardhmen’


Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit, ka bërë analizën vjetore të arsimit, pas rezultateve në testimin e PISA 2022.

Në të rezultoi se aftësitë e 15-vjeçarëve shqiptarë u përkeqësuan.

Ministrja ka theksuar se dikasteri që drejton ka hartuar një plan me synim përmirësimin e rezultateve në testimet e ardhshme Pisa 2025.

“Ne kemi hartuar një plan me synim përmirësimin e rezultateve në testimin e ardhshëm PISA 2025. Ky plan synon zbatimin e menjëhershëm, nga ky muaj”, ka treguar ajo.

Sipas ministres, plani përfshin një serë aktivitetesh dhe veprimtarish dhe hapa konkrete që bëjnë bashkë të gjithë aktoret në fushën e arsimit dhe një ndërveprim maksimal i agjencive dhe fuqizimi i angazhimit mësues-nxënës.

“Detyra e parë është analizimi i secilës shkollë pjesëmarrëse në PISA 2022, të angazhimit të stafeve për të identifikuar specifikisht dobësitë specifikime, në zhvillimin më pas të strategjive të përshtatshme për përmirësim”, ka thënë ajo.

Manastirliu ka dalluar ndër të tjera se trajtimi i mësuesve është një shkallë e rëndësishme, trajnimi është për testimet ndërkombëtare në raport edhe me kuptueshmërinë, edhe me angazhimin, por edhe me trajnimin sa u përket dijeve dhe aftësive pedagogjike duhet bërë në vazhdim.

Po ashtu ka treguar se organizimi i trajnimeve dhe mentorimeve periodike për mësuesit e gjuhës, leximit, matematikës, gjuhës shqipe dhe shkencave do të realizohet nëpërmjet materialeve mbështetëse.

Këto të fundit, sipas saj, janë duke u hartuar për përmirësimin e mësimdhënies në këto fusha dhe përgatitja e një kornize të detajuar të përmbajtjes së testimeve ndërkombëtare, me qëllim që institucionet arsimore të mundet të integrojnë filozofinë e këtyre testimeve në punën e tyre me nxënësit në mënyrë periodike.

Sipas rezultateve të “PISA 2022” të vendeve të OECD, gjatë katër viteve pas rezultateve të programit PISA 2018, aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës janë përkeqësuar,.

Shqipëria – nga rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” – është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim.

Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore