Lajme

Pas Osmanit, Lajçak takohet me Kurtin


I deleguari special i Bashkimi Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pasi ka përfunduar takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është nisur drejt Zyrës së Kryeministrit, për tu takuar me të parin e qeverisë së Kosovës, Albin Kurtin.

Takimi i diplomatit sllovak me presidenten Osmani, ka zgjatur rreth një orë, dhe i njëjti nuk ka qenë i hapur për media.

Ndryshe nga takimi me Osmanin, Lajçak është futur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës i shoqëruar edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit me Osmanin, Lajçak nuk është prononcuar për media.

Më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i thanë po propozimit franko-gjerman të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por nuk pati nënshkrim në Marrëveshjes derivat i këtij propozimi për shkak të mospajtimeve për zbatimin e tij, që do të kërkojë me shumë bisedime.

Mu për këtë arsye më 18 mars Kurti dhe Vuçiç pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian, pa të cilin nuk mund të ketë marrëveshje.

Prandaj diplomati sllovak i cili sot e nesër do të qëndrojë në Prishtinë, ndërsa në fillim të javës që po vjen në Beograd, do të përqendrohet në sigurimin e një pajtimi rreth zbatimit të planit i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Nis takimi, Lajçak pritet nga Osmani  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore