Lajme

Pas incidenteve – Kurti viziton të mërkurën “Trepçën” në Mitrovicë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën pritet të vizitojë ndërmarrjen “Trepça” në Mitrovicë.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit të cilët kanë informuar se kjo vizitë do të fillojë në orën 08:00, ndërsa thuhet se kryeministri do të jetë i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

Kjo vizitë po zhvillohet pas incidentit që kishte ndodhur të hënën në objektin e ndërmarrjes “Trepça”.

Paraditen e së hënës të 18 tetorit, në hapësirat e administratës së Ndërmarrjes Publike “Trepça” një grup njerëzish u futën në mënyrë demonstrative.

Ata ishin punonjës të ndërmarrjes të cilët po kundërshtonin emërimin e ushtruesit të detyrës së kryeshefit.

Fillimisht i sulmuar ka qenë Enis Abdurrahmani, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Trepçë”, i cili ka bërë të ditur për mediat se është sulmuar fizikisht në prezencë të Policisë, pastaj dhe drejtori i Administratës, Besim Haxhiu.

Enis Abdurrahmani, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Trepçë”.

Për këtë rast, Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona në Mitrovicë.

Ndërsa, pas procedurave të nevojshme intervistuese, tre të dyshuarit R.I., 50 vjeç, Sh.R., 40 vjeç dhe B.I., 37 vjeç janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tyre është iniciuar rast për veprën penale lëndim i lehtë trupor, sulm dhe pengim zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore