Shqipëria

Partia Demokratike feston “e pabashkuar” 32-vjetorin e themelimit


Shumëkush nuk do e mendonte se skenari i bashkuar për një “Shqipëri demokratike” 32 vite më parë do pasonte të dielën e 11 dhjetorit me një Parti Demokratike të shpërbashkuar.

Urimet janë i vetmi sinjal bashkimi por festa është e këputur në dy kampe si të mos mjaftonte mesazhi i “rithemelimit” duke kthyer kokën pas.

Situata nga një vit më parë është pak më e qartë për elektoratin blu dhe publikun e zakonshëm, por brenda selisë vazhdojnë të flenë “dy kryetarë”, njëri legjitim e tjetri i shpallur si i tillë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e bashkon themelimin e forcës politike që përfaqëson me atë të pluralizmit politik në Shqipëri në urimin e tij.

“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Demokratike! Gëzuar 32 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike njëherazi dhe pluralizmit politik në Shqipëri”, shkruan Berisha në mediat sociale.

Një urim e regjistroi edhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha për 32-vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike.

“Partia Demokratike ka lindur e re dhe do të mbetet e re, ka lindur evropiane dhe do të mbetet evropiane, ka lindur kombëtare dhe do të mbetet kombëtare, ka lindur mes sakrificash, e mbi sakrificat do të ngrihet më e fortë, ka lindur si shpresë e shqiptarëve për ndryshim dhe do të jetë sërish shpresa e tyre, ka lindur e madhe dhe do të bëhet edhe më e madhe, për Shqipërinë, për demokracinë”, vëren Basha në mesazhin e tij.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj zgjodhi të adresojë disa mesazhe në urimin e tij.

“32 vite më pas në një atmosferë gëzimi ca momente reflektimi secili nga ne duhet t’i bëjë. Më takon mua që në emër të PD-së, në emër të qëndrestarëve, njerëzve që kanë qëndruar dhe i janë bashkuar kauzës së PD-së”, u shpreh Alibeaj.

Sipas tij, kanë qenë tre misione kryesore që pasuan me lindjen e PD-së.

“I pari, PD-ja lindi dhe u krijua si nevojë për një formacion politik që të kthehej drejt Perëndimit. Edhe sot ky është një nga misionet kryesore. Shpallja e pluralizmit, zgjedhje të lira, kthimi nga vlerat e perëndimit dhe të demokracisë, janë vlera që askush nuk mund dhe nuk duhet lejuar që të bëjë negociata”, shtoi ai.

Për përfaqësuesin demokrat, çdo përpjekje për të vendosur “interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së duke e kthyer atë nga një institucion i Perëndimit për ta kthyer në një repart sulmesh kundër Perëndimit” është një moment që duhet kthyer.

Gjatë ditës janë parashikuar festime të ndara mes grupit të Alibeajt dhe atij që njihet si grupi i “Rithemelimit”, për të sprovuar edhe më shumë faktin se PD-ja nuk vuan për ideologji por për identitet tanimë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore