Financa

Paralajmërimi se kalimi në ekonominë e gjelbër do të rrisë inflacionin në eurozonë


Ka të ngjarë që politikat e trajtimit të ndryshimeve klimatike të mbajnë për më gjatë çmimet e energjisë më të larta dhe mund ta detyrojnë Bankën Qendrore Evropiane të tërheqë stimulin më shpejt se sa ishte planifikuar.

Kështu ka paralajmëruar një nga drejtueset e bankës, Isabel Schnabel, përgjegjëse për operacionet e tregut.

Sipas saj, kalimi i planifikuar nga lëndët djegëse fosile në një ekonomi më të gjelbër me karbon të ulët, “paraqet rreziqe të matshme pozitive për projeksionin tonë bazë të inflacionit në periudhën afatmesme”.

E përditshmja “Financial Times” tregon se pas rimëkëmbjes së ekonomisë nga ndikimi i pandemisë, një rritje e mprehtë e çmimeve të energjisë e çoi inflacionin në pesë për qind në dhjetor.

Kjo përqindje shënoi një rekord të lartë për eurozonën.

Por Banka Qendrore Evropiane ka parashikuar që çmimet e energjisë do të zbehen dhe është zotuar ta mbajë politikën monetare ultra të lirshme për të paktën një vit tjetër.

Schnabel ka thënë se ndikimi inflacionist i tranzicionit të energjisë së gjelbër mund ta detyrojë bankën që ta rishqyrtojë këtë pozicion.

“Ka raste në të cilat bankat qendrore do të duhet të thyejnë konsensusin mbizotërues që politika monetare duhet të shikojë nëpërmjet rritjes së çmimeve të energjisë në mënyrë që të sigurojë stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm”, ka treguar Schnabel.

Në 19 vende që ndajnë euron, çmimet e energjisë pësuan një rritje me 26 për qind në dhjetor nga një vit më parë.

Ndërsa çmimet e gazit natyror arritën nivelet më të larta rekord në rajon vitin e kaluar, duke i çuar çmimet e energjisë elektrike me shumicë në 196 euro për megavat orë në nëntor.

“Nevoja për luftën kundër ndryshimeve klimatike mund të nënkuptojë se çmimet e karburanteve fosile tani jo vetëm që do të duhet të qëndrojnë të ngritura, por edhe duhet të vazhdojnë të rriten nëse duam të përmbushni qëllimet e marrëveshjes së Parisit për klimën”, ka vijuar Schnabel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore