Lajme

Papa Françesku shtrohet në spital me infeksion frymëmarrjeje


Papa Françesku ka vështirësi në frymëmarrje dhe do të duhet të kalojë disa ditë në spital për trajtim.

Referuar deklaratës nga Vatikani, Papa ishte ankuar për vështirësi në frymëmarrje ditët e fundit dhe se testet treguan se ai nuk kishte COVID.

“Papa Françesku është prekur nga mesazhet e shumta të marra dhe shpreh mirënjohjen e tij për afërsinë dhe lutjen”, ka vijuar deklarata e Vatikanit.

Njoftimi vjen disa orë pasi Papa u dërgua papritur në spital për analiza.

Vatikani fillimisht ka bërë me dije se kontrolli ishte planifikuar, por mediat italiane e vunë në dyshim këtë, duke thënë se një intervistë televizive me Papën e caktuar për të mërkurën pasdite ishte anuluar në momentin e fundit.

Papa Françesku vuan nga divertikuliti, një gjendje që mund të infektojë ose të inflamojë zorrën e trashë dhe iu nënshtrua një operacioni në spitalin Gemelli në vitin 2021 për të hequr një pjesë të zorrës së trashë.

Në janar ai ka thënë se gjendja ishte rikthyer dhe se po e bënte të shtonte peshë, por nuk ishte shumë i shqetësuar. Ai nuk dha detaje.

Ai gjithashtu ka një problem me gjurin e tij dhe në daljet e tij publike alternon përdorimin e një bastuni dhe një karrige me rrota.

Papa Françesku ka thënë vitin e kaluar se ai nuk preferonte të bënte një operacion në gju, sepse nuk donte që të përsëriteshin efektet anësore negative afatgjata nga anestezia që pësoi pas operacionit të vitit 2021.

Korrikun e kaluar, duke u kthyer nga një udhëtim në Kanada, Françesku pranoi se mosha e tij dhe vështirësia në ecje mund të kishin sjellë një fazë të re, më të ngadaltë të papatit të tij.

Por që atëherë, ai ka vizituar Kazakistanin dhe Bahreinin dhe ka bërë një udhëtim muajin e kaluar në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut.

Po ashtu ka thënë këtë vit se nuk ka në plan të japë dorëheqjen dhe se nëse do ta bënte përfundimisht do të ishte për arsye serioze shëndetësore, si për shembull nëse do të ishte i paaftë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore