Kosova

Palmer: Kosovës t’i hiqen vizat


Matthew A. Palmer, diplomati amerikan

Është jetike që Bashkimi Evropian (BE) të mbështesë rajonin dhe të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kështu është deklaruar Zëvendësndihmës Sekretari i Zyrës për Çështjet Euroaziatike, Matthew A. Palmer, i cili po merr pjesë në Forumin e Prespës për dialog, në Maqedoninë Veriore

Palmer ka pohuar se është i zhgënjyer nga vendimi i BE-së për të mos nisur negociatat për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Jemi të zhgënjyer nga vendimi për të mos nisur negociatat, sepse këto shtyrje kanë penguar përparimin e synimeve tona në rajon, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë se kaq”, raporton A2 CNN.

Diplomati amerikan, ka kritikuar edhe liderët e Ballkanit Perëndimor duke thënë se ata nuk duhen vetëm të premtojnë por edhe të ofrojnë zgjidhje çështjeve politike.

“Për të realizuar potencialin e plotë të këtij rajoni, liderët duhet të bëjnë më tepër se premtime, duhet të marrin masa dhe të zgjidhin çështjet politike brenda dhe jashtë vendit, të fuqizojnë demokracitë multietnike dhe sistemet e drejtësisë dhe të lëvizin drejt së ardhmes.

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan, gjithashtu ka deklaruar se ai ka mbetur i zhgënjyer edhe nga mos nisja e Konferencës së parë ndërqeveritare në mes të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, gjatë vizitës së tij në Kosovë para një muaji, kishte potencuar se SHBA-ja nuk është palë në procesin e dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore