Lajme

Pahor: Zgjidhja përfundimtare Kosovë – Serbi varet nga Vuçiç’i


Borut Pahor

Zgjidhja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas ish-presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, mund të arrihet vetëm atëherë kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në vend të Rusisë e zgjedh Bashkimin Evropian.

“Në fund zgjidhja përfundimtare do të varet nga Vuçiç’i, pra nëse ai do të jetë në anën evropiane apo ruse. Nëse ai vendos të shkojë me Rusinë, nuk do të ketë një zgjidhje të mirë përfundimtare për çështjen e Kosovës ndërsa nëse vendos për në anën evropiane, herët apo vonë do të ketë një kompromis të mirë, i cili do t’i sigurojë Kosovës pavarësi formale diplomatike”, ka pohuar Pahor ndërsa ishte pjesëmarrës në një bisedë të organizuar nga Këshilli Atlantik.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Pahor, theksoi se Kosova duhet të formojë këtë mekanizëm pasi sipas tij kështu rritet edhe besimi i munguar në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pahor ka nënvizuar faktin se ai personalisht gjithmonë e ka mbështetur dialogun mes dy palëve, për të cilin thotë se “nuk është perfekt, por ka dhënë rezultate”.

“BE-ja dhe SHBA-të kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe pozitiv në dialog”.

Sipas tij Evropa në këtë fazë kërcënohet nga ndarja në vende demokratike dhe jodemokratike dhe se për Ballkanin Perëndimor është e rëndësishme se cilin drejtim do të marrë Serbia.

“Nëse Perëndimi është në gjendje të shtyjë Serbinë t’i kthejë shpinën Rusisë, atëherë ne do të kemi të gjithë Ballkanin në anën e Perëndimit. Nëse Serbia zgjedh Rusinë, atëherë pas disa vitesh do të përballemi me një rajon të paqëndrueshëm”, ka paralajmëruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore