Lajme

“Padi ndaj politikanëve nëse rritet numri i rasteve me COVID-19”


“Padi ndaj politikanëve kosovarë në rast se do të ketë rritje të rasteve të reja me COVID-19 si pasojë e tubimeve elektorale ku s’po respektohen fare masat”.

Kështu kanë paralajmëruar Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, pasi partitë politike nuk po i ndalin tubimet zgjedhore përkundër që vendi po përballet me virusin COVID-19.

“Në rast të rritjes së numrit të infektuarve me COVID-19 bie mbi ta dhe për këtë do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore deri në parashtrim të padisë për rrezikim të shëndetit të përgjithshëm të popullatës e në veçanti të punëtorëve shëndetësorë”, thuhet në reagimin e punëtorëve shëndetësorë.

Po ashtu, kjo sindikatë thekson se “po rrezikohet në masë të madhe shëndeti i popullatës në përgjithësi dhe punëtorëve shëndetësorë në veçanti”.

Edhe sipas studimeve të fundit në Britaninë e Madhe punëtorët shëndetësorë “janë katër deri në pesë herë më të ekspozuar ndaj infektimit se pjesa tjetër e popullsisë”.

Megjithatë, asnjë nga partitë politike në vend nuk është duke respektuar masat për luftimin e Coronavirusit, edhe pse vetë kishin miratuar këtë ligj vitin e shkuar.

Si pasojë e COVID-19 në Kosovë kanë vdekur 1526 persona. Janë edhe 6791 raste aktive nga mbi 62 mijë të regjistruar deri tash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore