Lajme

Pacolli takon Thaçin, Veselin dhe Selimin në Hagë


Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka takuar të martën në Gjykatën Speciale në Hagë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

”Në cilësinë time si ish -President i Kosovës dhe mbi të gjitha si një mik personal, së bashku me Jetlirin, vizituam ish -Presidentin Hashim Thaçi i cili gjendet në paraburgim, për gati një vit nga Gjykata Speciale në Hagë. Për pak kohë, me kënaqesi, takuam edhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi. Të tjerët kësaj radhe nuk mundem t’i takoja” ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Në këto dekada që njihemi, është hera e parë që për një kohë kaq të gjatë nuk jam takuar me presidentin Thaçi”.

Ai ka theksuar se “këtu në Hagë Thaçi, më të tjerët është duke luftuar kundër akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht nga qarqet që nuk e duan vendin tonë të lirë dhe të pavarur”.

“Është momenti i fundit që Shteti i Kosovës të merr përgjegjësi dhe ne të bashkuar të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë dhe të ardhmen e këtij vendi. Në Hagë nuk janë individët të akuzuar, por Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Por, të gjithë nga të akuzuarit i kanë mohuar kategorikisht akuzat që rëndojnë mbi ta. Ata janë deklaruar të pafajshëm në fjalimet e tyre të para në gjykatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore