Kosova

Pacolli për vrasjen në Ferizaj: E shpërblej këdo që i jep informacione policisë për vrasësin


Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka ofruar shpërblim për këdo që jep informacione që çojnë në arrestimin e të dyshuarit Dardan Krivaqa, për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se duke qenë prind i tre vajzave ndihet i trishtuar për ngjarjen e ndodhur të dielën e 22 gushtit.

“Ofroj shpërblim për këdo që i jep informacion të vlefshëm Policisë së Kosovës që çon në arrestimin e vrasësit të Marigonës. Si baba i tre vajzave, ndihem i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë!”, ka shkruar Pacolli.

Ndërkaq, Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e Krivaqës, i cili është i dyshuar  për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, derisa edhe qytetarët po mundohen t’i dalin në ndihmë organeve shtetërore për kapjen e tij i cili edhe më parë ishte i njohur për prokurorinë e policinë.

Ndryshe, Dardan Krivaqa, 29-vjeçari nga Ferizaj, i dyshuari tjetër me inicialet A.S, 32 vjeç, tashmë është në duar të policisë dhe i është caktuar masa e paraburgimit deri në fillim të procedurave ndaj tij, me vendim të prokurorit të rastit.

Ndërkohë, Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur protestë për të martën pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

“Të mllefosura nga ky rast dhe realiteti i frikshëm në të cilin jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, ne do të protestojmë nesër pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë, si revoltë ndaj dhunës dhe femicidit në Kosovë dhe dështimit institucional”, thuhet në njoftim të QKSGJ.

Në njoftim të organizatës thuhet se kërkesat e protestës janë “adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat, dhe trajtim të drejtë të dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Kosovës”.

Në anën tjetër Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky rast, është më shumë se skandal.

Ajo vë në pah neglizhencën e gjyqtarit i cili nuk e ka shqyrtuar deri në fund aktakuzën për tentimvrasje, ngritur më 2013 ndaj Dardan Krivaqës, tashmë i dyshuar kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj.

Haxhiu pret nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që të sqarojë se për cilin gjyqtar bëhet fjalë dhe të merren masa disiplinore ndaj tij.

”Në këtë drejtim nuk kemi mandat si Ministri e Drejtësisë të nisim procedura disiplinore ndaj gjyqtarit në rastin konkret. Këshilli Gjyqësor i Kosovës besoj që nesër duhet të dalë me deklaratë e të sqarojë se cili është ai gjyqtar dhe të nis procedura disiplinore në raport me atë gjyqtar”.

Përveç organizatave të cilat mbrojnë interesat e grave në Kosovë, një ditë me parë, për këtë rast ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke shkruar në llogarinë e tij në Facebook.

“Na duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm dhe për të realizuar aspiratat legjitime”, ka shkruar Kurti.

Ka reaguar edhe Presidentja e venit, Vjosa Osmani.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se “për të duhet të ketë drejtësi e dënim për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës që të ndryshojnë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore