Kosova

Pacolli: LDK dhe PDK janë kundër popullit


Fitore Pacolli

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës – dy partitë opozitare – “janë kundër popullit”, kjo pasi që PDK-ja ka bërë të ditur këtë të enjte se e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar, ku kishte përleshje mes pushtetit dhe opozitës.

LDK dhe PDK janë kundër popullit, shkroi fillimisht Pacolli në “Facebook”, duke shtuar se  “LDK-ja, para disa muajve e ka dorëzuar në Kushtetuese Ligjin për caktimin e çmimeve tavan e si rezultat çmimet e produkteve ushqimore vazhduan të rriten”.

“Sot, PDK e paska dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Kryetarit të Kuvendit për seancën që mbajtëm javën e kaluar ku kaluan vendime të rëndësishme”.

Ndërkaq, ajo përmendi disa nga projektligjet që u miratuan në seancën e së enjtes, ku para se të miratoheshin kishte përleshje fizike në mes të deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.

“Projektligji për çmimin e produkteve medicinale – përmes së cilit ndalohet abuzimi me çmimet e barnave. Projektligji për procedurën përmbarimore – përmbaruesi nuk mund të rrezikojë më minimumin jetik të qytetarit.”

“Projektligji për procedurat e caktimit të pagës minimale nga kjo përfitojnë mbi 100 mijë punëtorë në sektorin privat që aktualisht punojnë për pagë nën 264 euro; mbi 380 mijë të punësuar të cilët marrin më shumë pagë neto sepse hiqet tatimi për 250 eurot e para të pagës”, pohoi ajo me mburrje për miratimin e Ligjit për Pagën Minimale, për të cilën u protestua nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që të njëjtit nuk u përfshinë në këtë ligj.

Ndryshe, Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar, ku kishte përleshje mes pushtetit dhe opozitës.

Por, që pastaj po atë ditë seanca kishte vazhduar kështu duke miratuar projektligje të rëndësishme njëri prej tyre edhe projektligji për pagën minimale.

Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kjo seancë ishte ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, prandaj nga PDK-ja është kërkuar që të gjitha vendimet të anulohen.

“Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese”.

Ai ka theksuar se kryetari i Kuvendit të Kosovës ka bërë dy shkelje kushtetuese.

“Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”, ka shkruar Tahiri.

Ai tutje ka sqaruar se kanë kërkuar që të pezullohen edhe të gjitha vendimet që kanë dalur nga kjo seancë të cilën e ka quajtur “jokushtetuese”.

“Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura”.

“Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”.

Seanca e së enjtes, PDK-ja e dërgon në Gjykatë Kushtetuese

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore