Lajme

Pacolli: Kryeministri e detyroi Serbinë t’ia njoh pasaportën Kosovës


Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është personi që ka detyruar Serbinë që t’ia njoh Kosovës pasaportat.

Pacolli përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka komentuar takimin e së hënës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Dje, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, në Zyrat e Shërbimit të Jashtëm, ndër të tjera tha që me Propozimin e BE-së, Serbia do t’ia pranojë Republikës së Kosovës pasaportën e saj”.

“A më thotë dikush se kush është njeriu që e detyroi Serbinë që t’ia njohë Republikës sonë pasaportën, e cila është dokumenti simbolik më i rëndësishëm i një shteti të pavarur në marrëdhëniet me jashtë?. Natyrisht, Kryeministri Kurti”, ka thënë Pacolli.

Ndër të tjera, ajo ka kritikuar politikanët e së kaluarës.

“Politikanët e së shkuarës vetëm i jepnin Serbisë; tash jetojmë në kohë kur Serbisë nuk i japim më asgjë. Nga negociata për çështje të brendshme tash bëjmë negociata për pranim të shtetësisë e raporte të barabarta në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Propozimi franko-gjerman që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e vitit 2022, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në praninë e ndërmjetësuesve evropianë.

Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky propozim parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë. Aty nuk përmendet njohja reciproke.

Lexojeni tekstin e plotë të dokumentit franko-gjerman që tani është pagëzuar zyrtarisht me emrin “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Zyrtare: Publikohet Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë – Asociacioni brenda

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore