Lajme

“Pa koment”, ambasadorët e shkarkuar nga Qeveria


“Pa koment”, janë përgjigjet e ambasadorëve të emëruar politikisht, për të cilët është kërkuar shkarkimi i tyre nga MPJ e Kosovës.

Pas kërkesës së ministres së jashtme, Donika Gërvalla që t’i shkarkojë të gjithë ambasadorët e emëruar me çelës politikë, Albanian Post ka kontaktuar të 12 diplomatët, ku shumica nga ta kanë refuzuar të flasin.

Avni Arifi, ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një përgjigje për AP ka thënë shkurt se “nuk kam koment”.

Arifi ishte shef i stafit në kabinetin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, që më pas ishte emëruar ambasador me çelës politik.

Edhe Gezim Kasapolli, ambasador në Kroaci që është liruar nga detyra, ka refuzuar të flas, duke thënë shkurt se “nuk kam koment për këto çështje”

Albanian Post ka provuar të flas edhe me Nait Hasanin, Ylber Hysen, Arbër Vllahiun, Lirim Grajçevcin, Amir Ahmetin dhe Beqë Cufaj, por nuk janë përgjigjur.

Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi ka thënë që lajmin për lirimin nga detyra që mbanë e ka marr fiks në ditën kur ka mbushur dy vite në këtë post.

“Çuditërisht, dy vjet më pas, mu sot më 20 maj 2021, Qeveria e Kosovës përcjell dekretin që më liron nga detyra e ambasadorit, pikërisht në gjysmë të mandatit, që nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Abazit, mediat serbe dhe komuniteti serb në Australi kanë bërë presion që ai të mos akreditohet si ambasador për shkak se, siç thotë ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

“Por Qeveria Australiane, megjithatë, më akreditoi – për çka i jam shumë mirënjohës këtij vendi të madh mik”.

Ish shefi i diplomacisë kosovare, tani ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovë, Enver Hoxhaj, në një postim në rrjetin social Facebook  ka thënë  se largimi i ambasadorëve me çelës politik, “është i pa precedent, i pamatur i pa analizuar mirë”.

“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me ‘çelës politik’, e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Po ashtu Hoxhaj i ka quajtur veprime kamikaze, duke i cilësuar si zbehje të imazhit të Kosovës.

“Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”, ka shkruar Hoxhaj.

Kujtojmë se në qeverinë Kurti 1, kur postin e shefin të diplomacisë e kishte Glauk Konjufca, kishte liruar disa ambasadorë nga detyra, por që nuk ia kishte miratuar ish-presidenti Hashim Thaçi.

Si pasojë e kësaj kërkese, ish ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku ishte kthyer vullnetarisht nga misioni.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që t’i lirojë nga detyra të gjithë ambasadorët të cilët janë emëruar politikisht në shtet e ndryshme nga qeveritë e kaluara.

Të liruar nga detyra janë gjithsejtë 12 ambasadorë, ku disa prej këtyre janë emëruar nga partitë të cilatë kanë qenë në pushtet. Pjesa më e madhe nga ta kanë qenë funskionar nëpër partitë politike.

Beqë Cufaj ambasador në Gjermani, Nait Hasani ambasador në Shqipëri, Arbër Vllahiu ambasador në Çeki, Lirim Grajçevci ambasador në Holandë, Shpend Kallaba ambasador në Hungari, Gezim Kasapolli ambasador në Kroaci, Avni Kastrati ambasador në Slloveni, Gjergj Dedaj ambasador në Maqedoninë e Veriut, Hajdin Abazi, ambasador në Australi, Ylber Hysa ambasador në Mal të Zi, Avni Arifi ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Amir Ahmeti ambasador në Katar, janë të liruarit nga detyra nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore