Lajme

Pa aprovim të Komisionit në Kuvend shkon propozimi për tërheqje nga Trusti


Komisioni per Buxhet.

Komisioni për Buxhet nuk ka miratuar propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i ligjit që mundëson tëheqjen e re nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Deputetët opozitarë kanë qenë pro këtij komisioni, mirëpo votat e pushtetit ishin kundër, ndërsa nga minoritetet, Verica Ceraniç e Listës Serbe ishte pro, ndërsa Duda Balje abstenoi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, gjatë këtij komisioni ka dhënë arsyet e iniciativës së tij për tërheqjen e një pjese nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

“Andaj kemi iniciuar ndryshimin e ligjit për Trustin që t’u mundësojmë atyre tërheqjen e një pjese nga Trusti në mënyrë që sadopak të zbutet kjo krizë. Në nenin 1 saktësohet qëllimi: ky ligj ka për qëllim që pjesëmarrësve të Trustit tu krijohet bazë ligjore për tërheqje nga 10 deri 30 për qind të kursimeve të tyre”.

Ai konisderon që qytetarët që nga fillimi i 2020-ës janë duke u përballur me kriza.

“Personat që kanë kursime më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri 30 për qind të kursimeve. Ata që kanë prej 10 mijë deri 19.999 euro mund të tërheqin deri në 25 për qind të trustit. Ata që kanë nga 20 mijë deri më 29.999 euro mund të tërheqin deri në 20 për qind. Nga 30 mijë deri në 39.999 euro mund të tërheqin 15 për qind të kursimeve. Dhe ata që kanë më shume se 40 mijë euro mund të tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve pensionale”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja është shprehur se Departamenti i Financave kanë deklaruar se projektligji për fondet pensionale nuk krijon kosto shtesë për buxhetin por do të ketë ndikimin negativ në të hyrat nga tatimi.

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo është masë drastike.

“Besoj që e kanë dhënë efektin sepse qysh në janar të 2021 ne e kaluam atë krizë. Kur është propozuar kjo para 3-4 muajve nga deputeti Haxhiu, nuk kam qenë ndër mbështetësit e saj. Kam menduar që nëpërmjet veprimeve të Qeverisë nuk do të ketë nevojë për këtë masë por pas mosveprimeve të Qeverisë u pa qe nuk pati kurrfarë masash. Ne patëm propozuar një listë të veprimeve që të mos vihet deri të kjo masë. Kështu që ne si LDK e mbështesim plotësisht këtë projektligj”, ka thënë Hoti.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, deklaroi është kompetencë ekskluzive e Kuvendit.

“Nuk po e them për politikë por po e them qe e kuptojmë këtë çështje të ndjeshme e dimë që nuk është metoda më e mirë por derisa kemi një krizë ekonomike qeveria është për të zgjidhur çështjet e qytetarëve. Duhet të tejkaloni inatet dhe të vendosni në të mirën e qytetarëve. Vota ime dhe e Aleancës është pro duke u bazuar në këtë që e thashë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, deputetja Dude Balje, tha se Grupi Multietnik ka pasur deri vonë një takim porse nuk kanë arritur një dakordim për shkak të qëndrimeve të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore