Lajme

Osmani uron Milatoviç-in: Kosova është e interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me Malin e Zi


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas ceremonisë së betimit të presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ku ishte e pranishme, ka thënë se është e rëndësishme që inaugurimi i tij bashkoi liderët e vendeve të rajonit.

“Dua të përgëzoj Presidentin e Malit të Zi. Kosova është shumë e interesuar për vazhdimin e bashkëpunimit tashmë të shkëlqyer me Malin e Zi”, tha Osmani para gazetarëve në Mal të Zi.

Ndërkaq, Osmani shtoi se ky bashkëpunim në mes të dy vendeve duhet të jetë “sidomos sa i përket integrimit tonë euroatlantik”.

Vjosa Osmani dhe Jakov Milatovic

“Presidenti i ri sot konfirmoi se integrimi evropian është e vetmja rrugë. Ne do të punojmë së bashku për këtë çështje me Malin e Zi, por edhe me çdo vend tjetër në rajon që dëshiron paqe, stabilitet dhe euro- Integrimi Atlantik”, pohoi ajo.

Në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri malazez kanë marrë pjesë zyrtarë të shumtë të lartë nga Mali i Zi, rajoni dhe bota, drejtues të institucioneve shtetërore, anëtarë të trupit diplomatik.

Ndryshe, këtë të shtune, Jakov Milatoviç është betuar si president i Malit të Zi.

Jakov Milatovic gjate betimit si president i Malit te Zi

“Betohem se do t’i kryej detyrat e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri, sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha ai.

Në fjalën e tij pas inaugurimit, Milatoviç potencoi se ndjen një nder dhe krenari të veçantë që me dhënien e betimit po merr detyrën e presidentit.

“E konsideroj privilegj, por edhe përgjegjësinë më të madhe, që mu dha mundësia të jem në krye të vendit ku kam lindur, të cilin e dua pafundësisht”.

“Dhe sikur të zgjidhja, do të kisha lindur pikërisht këtu, në tokën më të bukur të gërshetuar me luftën shekullore për mbijetesë, të zhytur mes detit dhe shkëmbit”, shtoi ai.

Ai ka premtuar se do të jetë një president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare dhe kombëtare apo çdo karakteristikë tjetër personale.

“Ndryshimi i strukturës politike dhe konsolidimi i demokracisë sonë ngre optimizëm se në periudhën e ardhshme çështjet e hapura që janë me rëndësi jetike për të ardhmen e Malit të Zi do t’i zgjidhim me shumë më shumë unitet”.

Milatoviç ka theksuar se puna që e pret nuk do të jetë afatshkurtër dhe e lehtë.

Presidenti në Mal të Zi ka mandat pesëvjeçar. Në këtë pozitë Milatoviç, e ka zëvendësuar veteranin e politikës malazeze, Milo Gjukanoviç, të cilin e mposhti në zgjedhjet e 2 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore