Lajme

Osmani, Taravarit për planin 9 pikësh: Mendo dy herë para se të involvohesh në lojëra elektorale që s’i njeh


Bujar Osmani dhe Arben Taravari

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i ka reaguar kundërkandidatit për president të RMV-së, Arben Taravarit të Frontit Opozitar, pasi ky i fundit e kritikoi për planin 9 pikësh të OSBE-së për de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës.

“Po ta dinte Arben Taravari se si është sintetizuar, përgatitur dhe miratuar plani nëntëpikësh i Kryesuesit të OSBE-së për de-eskalim në veri dhe rolin e këtij plani për të parandaluar zgjidhje teritoriale për çështjet etnike në Kosovë, do mendonte dy herë para se të involvohet në lojëra elektorale që nuk i njeh dhe që mund ta dëmtojnë shumë interesin e Kosovës”, shkroi Osmani në Facebook.

Ai ka shtuar tutje se Kosova është çliruar me rezistencë dhe përpjekje të koordinuara, duke shtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës mund të mbrohet vetëm me veprime të koordinuara.

Ky reagim i Osmanit vije pasi Taravari kishte theksuar se është “i shokuar” nga Osmani, meqë sipas tij, ky i fundit  si kryesues shqiptar i OSBE-së, ka keqpërdorur pozicionin e tij “për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit”.

“Plani 9 pikësh i Bujar Osmanit ka kërkuar tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, nga territori legjitim i Kosovës. Ai ka kërkuar poashtu dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore”, shtoi.

Taravari ka potencuar tutje se dokumenti i Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronjtë që “na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiçit në Banjës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku”.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

“Plani 9 pikësh për Veriun”, Taravari: Jam i shokuar, Osmani si kryesues i OSBE-së – ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore