Kosova

Osmani takon presidentin e Kenias, por njohja nuk është akoma gati


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes llogarisë së saj në Facebook ka njoftuar për takimin me presidentin e Kenias, William Rutto.

“Në takimin tonë të tretë brenda një periudhe njëvjeçare, me Presidentin e Kenias, William Ruto, diskutuam sërish për avancimin e raporteve në mes të Republikës së Kosovës dhe Kenias. 🇽🇰🇰🇪”, shkruan presidentja Osmani.

Mirëpo, Osmani nuk përmend faktin që takimet e presidentit Rutto me presidentin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, këshilltarin e tij Jetlir Zyberaj dhe madje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çështjen e njohjes së Kosovës nga Kenia kanë katër vjet që bëhen.

Njohja e Kosovës nga Kenia ka qenë në fokus të të gjitha këtyre takimeve për një kohë te gjatë dhe shumë afër të ndodhë më 14 shkurt, në përvjetorin e pavarësisë së vendit.

Por, për shkak të raporteve të përkeqësuara, pasojë e vendimmarrjes së institucioneve të Kosovës, pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë, kjo gjë nuk ka ndodhur akoma.

Dështimi për të marrë njohjen nga Kenia, megjithëse është diskutuar shumë gjatë dhe raportet kanë qenë të përafruara, është vazhdimësi e lëshimeve diplomatike të institucioneve kosovare në vitet e fundit.

Duket se Qeveria e Kosovës po vijon rrugën e saj, ku në gati katër vite qeverisje nga Albin Kurti, Kosova nuk ka mundur të realizojë asnjë njohje ndërkombëtare.

Ndërkaq në fund të vitit të shkuar kryeministri i Shqipërisë gjatë një takimi me Rutto-n kërkoi njohjen e Kosovës.

Shqipëria në nivel historik nuk ka pasur raporte të zhvilluara me vende të Afrikës, përpos relatave të vendosura kahera me vende të Magrebit kryesisht Egjiptin.

Një mundësi e re zhvillimi të raporteve në këto kushte, do të hapte edhe një sferë tërësisht të ndryshme dinamikash për diplomacinë shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore