Lajme

Osmani takon politikanët e rajonit – Diskutojnë për fqinjësi të mirë dhe integrime euroatlantike


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviq

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviq.

Në margjinat e Forumit për Diplomaci në Antalia ku edhe po marrin pjesë që nga 11 marsi, Osmani ka bërë të ditur se me Abazoviq-in kanë diskutuar për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Diskutuam rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunim në dobi të popullit tonë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Twitter.

Ajo është takuar edhe me anëtarin boshnjak të kryesisë së Bosnje dhe Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç, ku kanë zhvilluar një bisedë miqësore.

“Nënvizoi mbështetjen e Kosovës për integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH dhe angazhimin tonë për të rritur bashkëpunimin për agjendën tonë të përbashkët euroatlantike”, ka shkruar ajo në Twitter.

Në ditën e dytë të forumit Osmani ka takuar edhe Sekretaren e Përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid, ku me ç’rast ka potencuar se Kosova është e gatshme të mbështes qytetarët ukrainas.

“Është e shkëlqyeshme ta takosh Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Kosova qëndron pranë aleatëve në këtë kohë sfiduese dhe i gatshëm për të mbështetur qytetarët ukrainas në përpjekjet globale humanitare”, ka shkruar Osmani në rrjetin e saj social në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore