Kosova

Osmani: Si rezultat i veprimeve gjenocidale të Milosheviçit mbi gjysma e popullsisë u bënë refugjatë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Refugjatëve ka kujtuar se gjatë luftës së fundit në vend mbi gjysma e popullsisë janë bërë refugjatë.

“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, mbi gjysma e popullsisë sonë u bënë refugjatë si rezultat i veprimeve gjenocidale të Milosheviçit”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Ajo ka theksuar se “do të luftojnë” për të drejtat e refugjatëve kudo në botë dhe se populli i Kosovës e kupton vuajtjen dhe sakrificën e thellë të refugjatëve në mbarë botën.

“Në Ditën Botërore të Refugjatëve, ne zotohemi të ngrihemi, të flasim dhe të luftojmë për të drejtat dhe dinjitetin e refugjatëve kudo”, shtoi e para e shtetit.

Ndryshe, Dita Botërore e Refugjatëve synon të tërheqë vërejtjen për vuajtjet e dhjetëra milionë refugjatëve në mbarë botën.

Dita Botërore e Refugjatëve është themeluar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave dhe fëmijëve, të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konfliktit dhe dhunës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore