Lajme

Osmani: Serbia vazhdon të ndjekë mentalitetin e Milosheviçit – Asociacioni si “Republika Srpska”


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një fjalim mbi të ardhmen e Kosovës në një rajon sfidues në Institutin e Politikës së Jashtme në kuadër të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare John Hopkins, në Nju Jork, ka thënë se një asociacion i komunave serbe me kompetenca ekzekutive do të ishte prelud i krijimit të një “Republika Srpska”.

“Ky asociacion nuk do t’i shkaktonte probleme vetëm Kosovës por edhe aleatëve”, tha Osmani.

“Zbatimi nuk është prelud vetëm i krijimit i një “Republika Srpska” por shkon kundër investimeve për stabilitet që partnerët tanë që kanë bërë me vjet. Nuk është e mirë as për partnerët, do t’u shkaktojë kokëdhimbje. Edhe ju do të përballeni me këtë mostabilitet”.

Sipas saj, ujdia për Asociacionin e Komunave Serbe nuk mund të zbatohet pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk është në linjë me të.

Ajo ka akuzuar Beogradin zyrtar se po vazhdon të ndjekë politikat e vjetra të Slobodan Milosheviçit, duke u shndërruar në vegël të Rusisë për të destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, me qëllim të shkatërrimit të të arriturave të SHBA-së në dekadat e fundit në rajon.

“Regjimi në Serbi vazhdon të ndjekë të njëjtin mentalitet, por me strategji të tjera, me një mentalitet që po përpiqet të vendosë të ashtuquajturën bota e madhe serbe”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

“Njerëz të ndryshëm në botë mendojnë se lufta në Kosovë ka nisur më 2011 kur ka nisur dialogu Kosovë-Serbi, por është një kontekst i kësaj dhe kthehet mbrapa në kohën kur ish-lideri serb Millosheviç, i njohur si kasapi i Ballkanit, i mori të drejtat autonome të Kosovës, duke dhunuar çdo të drejtë bazike të qytetarëve të Kosovës, duke nisur nga e drejta jonë për arsimim”.

Ajo ka theksuar se “unë isha fëmijë i vogël në atë kohë në shkollë dhe të gjithë ne u dëbuam nga shkollat tona për të njëjtën arsye, se ne nuk jemi një popull i njëjtë sikurse regjimi i Millosheviçit”.

“Kur ne u nuk u lejuam të shkojmë në shkollë, të gjithë prindërit u larguan nga puna, ne nuk ishim të lejuar të ndiqnim asnjë të drejtë civile ose të drejta të kulturës. Praktikisht ne kemi jetuar nën një regjim aparteidi. Kjo çoi deri te lufta e shkaktuar nga regjimi i Millosheviçit”, ka thënë Osmani.

Për Osmanin, Kosova përfundimisht një storie e suksesit.

“Si ta ndërtoni shtetin nga pikënisja, e cila ishte pikërisht ajo që ne u desh ta bënim pas një periudhe të dhimbshme historie dhe të një lufte të madhe që kishte populli i Kosovës. Unë besoj shumë se vendi ynë do të ecën përpara, përfshirë nga pikëpamja ekonomike. Kosova si shtet ka 13 vjet, por në të njëjtën kohë ka pasur një progres të madh”.

“Ne jemi të mbështetur nga aleatët tanë më të mëdhenj, sidomos SHBA. Kur flasim për Kosovën dhe popullin e saj, ne kryesisht flasim në kontekstin e luftës”.

Osmani ka folur edhe për politikat, siç ka thënë ajo, destruktive të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kosova i përket një rajoni mjaft sfidues ku Rusia ka interesa specifike dhe interesi i tyre nuk është vetëm destabilizimi i Kosovës, por për shkak se Ballkani Perëndimor është një rajon ku ata dëshirojnë të zhbëjnë çdo gjë amerikane, çdo gjë që SHBA ka arritur në dy-tri dekadat e fundit, të cilat janë stabiliteti dhe demokracia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore