Lajme

Osmani nga kazerma Adem Jashari: Pjesëmarrja në “Defender –Europe’23”, konfirmon besimin e aleatëve tanë për ushtrinë tonë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të mërkure ka vizituar Shtabin e Përgjithëshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është pritur nga Komandanti gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe gjeneralë e oficerë të tjerë të FSK-së.

Me këtë rast, Presidentja Osmani u njoftua nga gjeneral Jashari dhe stafi i tij me zhvillimet aktuale në FSK dhe aktivitetet në proces, me theks të veçantë në përgatitjet finale para ekzekutimit të stërvitjes fushore të forcave amerikane me forcat tjera partnere “Defender –Europe’23”.

Në komunikatën e lëshuar nga presidenca thuhet se Osmani e ka përgëzuar FSK-në, për procesin e suksesshëm të planifikimit dhe përgatitjeve të duhura për Stërvitjen “Defender-Europe’23”.

“Pjesëmarrja e mbi 1300 trupave të FSK-së në stërvitjen fushore “Defender- Europe’23”, përkrah forcave amerikane dhe aleatëve tjerë, si dhe statusi i Republikës së Kosovës në cilësi të vendit pritës, konfirmon besimin e fuqishëm të partnerëve tanë strategjik në profesionalizmin e FSK-së, si dhe besimin në vendin dhe popullin tonë në mbrojtjen e vlerave euroatlantike të lirisë dhe paqes rajonale e globale”, ka thënë Osmani.

Po ashtu, bëhet e ditur se presidentja Osmani në cilësinë e Komandantes Supreme të FSK-së, ka shprehur mbështetjen e plotë nga ana e saj për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, si dhe gjithashtu mbarëvajtjen e kësaj Stërvitje, “si një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për FSK-në, por edhe për Republikën e Kosovës dhe vizionin euroatlantik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore