Kosova

Osmani në Gjermani takon Kryeministrin e Libanit: Ramë dakord t’i avancojmë raportet tona


Vjosa Osmani dhe Najib Mikati

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Gjermani, ku do të merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, gjatë ditë së premte ka takuar Kryeministrin e Libanit, Najib Mikati.

Osmani e cila ishte e shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, në rrjetin e saj social në Twitter, ka shkruar se me kryeministrin libanez kanë diskutuar për gatishmërinë e dy vendeve për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe.

“Dy vendet tona kanë lidhje të mira historike dhe ne ramë dakord t’i avancojmë më tej këto lidhje përmes masave konkrete”, ka shkruar mes tjerash Osmani në Twitter.

Në anën tjetër Libani nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, e cila një ditë më parë festoi 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Ndryshe Presidentja Osmani ka udhëtuar për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC).

Kështu ka bërë të ditur zyra e presidencës, ku në njoftim thuhet se Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me liderë të tjerë botërorë, si dhe me krerë të organizatave ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë poashtu edhe në panele diskutimi për çështjet e lidhura me sigurinë, duke përfshirë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e paraqitura për kombet demokratike në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore