Kosova

Afër 2 mijë qytetarë konvertuan patentë shoferët në RKS


Ilustrim.

Afër 2 mijë patentë shoferë kanë aplikuar për zëvendësimin e patentë shoferëve ilegalë në ato legale të Kosovës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Në të gjithë Kosovën janë konvertuar 1 mijë e 713, vetëm në Veri janë konvertuar 1 mijë e 408 ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës numri është 305”, ka sqaruar Elshani për Albanian Post.

Ai ka thënë se procesi deri tani është duke shkuar sipas planifikimeve.

“Procesi po vijon në rregull. Interesimi i qytetarëve është i mirë, kurse afati është deri më 9 gusht”.

Më 7 maj, ministria e Punëve të Brendshme (MPB), kishte marrë vendim që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sqaroi se vendimi hyn në fuqi më datën 9 maj dhe është valid deri më datën 9 gusht të 2024-së.

Ai ka bërë thirrje që në afat sa më të shkurtër komuniteti serb të aplikojë për të realizuar të drejtën.

Ky vendim ishte mirëpritur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Gjermanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore