Kosova

Osmani: Kosova i bashkohet aleatëve për të dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se vendi që e drejton i bashkohet aleatëve për ta dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit të shtunën e 13 prillit.

“Kosova i bashkohet aleatëve në mbarë botën për të dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit. Ky përshkallëzim i madh po çon në paqëndrueshmëri të paprecedentë në rajon dhe më gjerë, me jetë të pafajshme që mbajnë peshën e saj shkatërruese”, shkroi Osmani në platformën X.

Osmani ka shtuar se “përpjekjet për paqe duhet të mbizotërojnë”. Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, duke potencuar se ky është një akt i paprecedentë që përbën një rrezik të madh për destabilizimin e gjithë rajonit.

“E dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky veprim i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e tërë rajonit. Tash, më shumë se kurë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Gjithashtu, komuniteti ndërkombëtar ka reaguar me alarm, pasi Irani lëshoi dronët shpërthyes dhe gjuajti raketa në Izrael, në sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë në territorin e shtetit hebre.

Ndryshe, forcat izraelite dhe aleate rrëzuan “shumicën dërrmuese” të qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani, gjatë një sulmi të paprecedentë kundër Izraelit.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

Sulmi kundër Izraelit vjen, po ashtu, në kohën e tensioneve midis Iranit dhe Perëndimit, lidhur me luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore