Kosova

Osmani kërkon nga Macroni ta mbajë Serbinë përgjegjëse për agresionin ndaj Kosovës


Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macron

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të enjten presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Granada të Spanjës, me të cilin ka diskutuar për tensionet në rritje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e shtetit kosovar, nëpërmjet një njoftimi në platformën “X”, ka thënë se gjatë takimit me presidentin francez ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës. Ajo gjithashtu ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit.

“Një diskutim i rëndësishëm me presidentin francez, Emmanuel Macron, mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm”, ka shkruar presidentja Osmani pasditen e së enjtes.

Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macron

Në një prononcim para mediave para nisjes së samitit të tretë të EPC-së, presidentja Osmani ka thënë se fillimisht duhet të vendosen sanksione ndaj Serbisë, pas ngjarjeve të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit, pastaj të diskutohet për vazhdimin e dialogut.

Liderët e 47 vendeve evropiane do të diskutojnë për sigurinë dhe stabilitetin, energjinë dhe çështje të tjera me interes për Evropën, përfshirë situatën aktuale në Kosovë. Në margjinat e kësaj ngjarje politike, prezent është edhe Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë.

Presidentja Osmani s’ka konfirmuar takime të veçanta me liderët evropianë e as me homologun serb, porse ka shprehur optimizmin se për sulmin terrorist të 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe të flasë në samitin e tretë të EPC-së.

Eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë, megjithëse Bashkimi Evropian (BE) pret pret nga palët që të rikithehen në dialog.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do të ulet “së bashku” me presidenten Osmani dhe presidentin Vuçiç, për të biseduar për kapërcimin e situatës aktuale gjatë samitit të BE-së në qytetin andaluzian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore